Ditët e albanologjisë po zhvillojnë edicionin e nëntë këtë vit. Janë ditë që kanë bërë bashkë studiuesit, ku prezantohen arritjet në fushën studimore, botimet e ndryshe apo dhe ekspozitat. Por kur jemi në muajin e fundit të vitit, studiuesit shprehen për vështirësitë e punës së tyre. Akademia e Studimeve Albanalogjike përmbledh disa institute, por buxhetet e pakta kanë kufizuar studimore. Drejtues i ASA, akademiku Marenglen Verli shprehet se ajo që kërkohet është investimi për të pasur mundësi rekrutime më cilësore në profesorat. Sipas akademikut Verli, duke qenë dhe Viti i Skënderbeut, në synim veç konferencave dhe veprimtarive të ndryshme ka qenë dhe botimi i një kolane, që kur të përfundojë do arrijë në rreth 30 tituj. “Deri tani kanë përfunduar tetë tituj që kanë dalë nga shtypi, pjesa tjetër në proces. Shumë gjëra janë nga latinishtja, nga osmanishtja, etj që duhet realizuar dhe përkthimi. Në planin moral ne ndjejmë një dorë më të ngrohë se dikur, por presim ta shikojmë të realizuar dhe në planin tjetër. Ajo që ne kërkojmë është një vëmendje më e madhe në investimet për albanologjinë, të cilat do të siguronin vazhdimësinë dhe rekrutime cilësore në profesoratin tonë, botime më cilësore dhe një konsulencë nëpërmjet sjelljes së arkivave dhe arritjeve të reja shkencore”, pohon akademiku Verli. Albanologjia është lënë pas dore, ku edhe në konferencat ndërkombëtare pjesëmarrja është e vështirë, gjë që e konfirmon drejtori i Institutit të Historisë akademiku Beqir Meta. Në reagimin e tij, akademiku Meta shprehet se situata nuk ka ndryshuar sa i takon buxheteve të pakta dhe kushtet e punës. “Buxhetet janë të pakta, nuk ka financime për albanologjinë. Pjesa kërkimore në arkivat e huaja mbetet problem. Por dhe ne si studiues kemi shumë për të komunikuar në konferencat ndërkombëtare, por nuk kemi mundësi të shkojmë. Ne jemi prej vitesh në këtë gjendje që është shumë shqetësuese, shteti të kthejë sytë nga albanologjia” pohon mes të tjerave akademiku Beqir Meta.
Studiuesit të shpërfillur
Institutet e albanologjisë janë të përfshira në Akademinë e Studimeve Albanologjike, dhe sipas prof. dr. Josif Papagjonit për shkak të problemeve dhe departamentet janë pakësuar. “Pa punonjës dhe studiues nuk bëhen dot studimet, mungesa e tyre rrudh punën e studimore e shkencore në ASA, sakaq institutet janë shumë të rrudhura, departamentet janë të pakësuara dhe nuk funksionojnë dot me gjithçka”, pohon ai. Për prof. dr. Papagjoni në raport me vendet e tjera buxhetet për albanologjinë në vendin tonë janë shumë pak. “Ne kemi folur herë pas here, por kërkesat tona nuk janë dëgjuar, fare pak është bërë. Nëse e marrim në raport me shtetet e tjera, buxhetet që ndahen për akademinë tonë janë minimale dhe nuk ka vlerësim punën studimore, librat dhe monografitë. Studiuesi ka një pozitë të shpërfillur në trajtimin me pagë dhe në trajtimin me kontributet që ai jep” vijon më tej prof. dr. Papagjoni. Në reagimin e tij ai shprehet se puna në arkivat e huaja vijon të jetë me mangësi për shkak të buxheteve të pakta. “Emergjente për albanologjinë shqiptare, më së pari nga pikëpamja institucionale duhet të konsolidojë strukturën e saj, të bëhet institut unik parësor në studimet albanologjike, duke e zhvendosur qendrën nga bota këtu në Tiranë. Kjo nënkupton përveç botimeve të shumëfishta në rrafshta albanologjike, nga ana tjetër edhe organizimin, testimin dhe promovimin e shumë veprimtarive shkencore, posaçërisht konferencave ndërkombëtare ku të trajtohen çështje me rëndësi kapitale për kombin dhe shtetin”, shprehet studiuesi. Sipas prof. dr. Josif Papagjonit është e domosdoshme që botimet studimore të jenë në gjuhën shqipe, por dhe të huaj. “Ne nuk mund ta mbrojmë dot pozicionin tonë në rrafsh ndërkombëtar në fusha të ndjeshme nëse nuk pohojmë, nuk argumentojmë dhe nuk këmbëngulim me tezat tona mbi historinë e popullit shqiptar. Mungon vlerësimi që duhet të vijë nga qeveria me mbështetjen financiare për të realizuar studime shumëplanëshe dhe kolana botimesh serioze të shumta në të gjitha fushat e albanologjisë, duke botuar jo vetëm në shqip por dhe në gjuhë të huaja, dhe kjo është e domosdoshme” pohon studiuesi Josif Papagjoni.
Nga Julia Vrapi