Komiteti i Helsinkit dënon sjelljen e grekëve: Shprehën gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, të merren masa

0
553

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënoi dje sjelljen e qytetarëve grekë në ceremoninë mortore të Konstantinos Katsifas në Bularat të Gjirokastrës. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, KSHH deklaroi se grekët e mbushën këtë ngjarje me tension, duke nxjerrë në pah edhe gjuhën e urrejtjes. Sipas Komitetit të Helsinkit, veprimet e grekëve duhet të dënohen.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), misioni i të cilit ka qenë dhe mbetet respektimi i lirive dhe të drejtave të shtetasve, përfshirë këtu edhe ato të pakicave kombëtare, shpreh indinjatën e tij të thellë dhe dënon me forcë atë që ndodhi sot në Bularat. Një grup personash të ardhur nga Greqia shfrytëzuan ceremoninë mortore të shtetasit Konstantinos Katsifas, duke e kthyer atë në një ngjarje të tensionuar, ku u shpreh qartazi gjuha e urrejtjes ndaj popullit shqiptar nëpërmjet parullave nacionaliste, ksenofobisë dhe ekstremizmit që nxit dhunën dhe përçarjen, veprime këto të dënueshme edhe ligjërisht”, thuhet në reagimin e KSHH. Më tej, Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën thirrje që të ruhen marrëdhëniet e mira fqinjësore, me qëllim që në rajon të ketë paqe dhe stabilitet. Po ashtu, KSHH kërkoi nga homologët grekë që të marrin reagojnë ndaj kësaj sjellje të qytetarëve të Greqisë. “Shfaqje të tilla që i përkasin të kaluarës së largët nuk kanë asgjë të përbashkët me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis popullit shqiptar dhe atij grek, si dhe me standardet evropiane, për të jetuar në paqe, demokraci dhe stabilitet. KSHH i sugjeron Monitoruesit Grek të Helsinkit që të reagojë ndaj fenomeneve të tilla, edhe për faktin se ato kanë qenë të pranishme para disa ditëve në protestën e mbajtur në qendër të Athinës. KSHH do të vazhdojë edhe në të ardhmen të japë kontributin e tij modest për forcimin e marrëdhënies miqësore midis popullit tonë dhe atij grek kundër çdo forme të ksenofobisë dhe ekstremizmit, që synon të helmojë atmosferën e shëndoshë për integrimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi reagimin e tij Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here