Nga Julia Vrapi
Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar u rikthye në Tiranë pas më shumë se një dekade, por ky rikthim është shoqëruar me pikëpyetje rreth organizimit dhe mënyrës së zhvillimit të tij. Lidhur me këto problematika ka reaguar edhe regjisori Mevlan Shanaj, i cili ka shprehur kritika për mënyrën e zhvillimit të edicionit të 14-të të festivalit dhe trajtimin e autorëve, duke përmendur edhe Ministrinë e Kulturës dhe ministrin Blendi Gonxhja.
Reagimi i tij vjen pas rastit të ndodhur gjatë ceremonisë së Çmimit të Karrierës për regjisoren Xhanfise Keko, ku u përdor fotografia e Natasha Lakos në vend të fotografisë së regjisores që po nderohej. Regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën e konkurrimit në festival dhe numrin e veprave me të cilat mund të paraqitet një regjisor. Sipas tij, ky është një rast i pazakontë në raport me mënyrën se si zhvillohen festivalet dhe konkurset artistike në vende të tjera.
“Film Festival, obobo, kjo mënxyrë. Natasha ka shkruar për skandalin që, gjatë ceremonisë së dhënies së Çmimit të Karrierës për regjisoren Xhanfise Keko, është përdorur fotografia e Natashës dhe jo fotografia e regjisores që po nderohej. Por Natasha nuk i di mynxyra të tjera, të panumërta, të këtyre sharlatanëve. Do të jepen 16 Çmime Karriere. Në një festival filmi, si në asnjë garë tjetër, këtu regjisorët paraqesin deri në katër filma! Në të gjithë botën, nuk ndodh që një autor të paraqitet më shumë se një herë-qoftë festival filmi, teatri, libri, muzike apo pikture autori paraqitet me një vepër, jo me disa, bile deri në katër.
Ky rast është unikal. Ministria e Kulturës, do të hyjë në Guinness!”, shprehet Shanaj në reagimin e tij të ndarë në rrjete sociale. Një tjetër shqetësim i ngritur nga regjisori Shanaj lidhet me përfshirjen e dokumentarit “Rikard” në program, për të cilin ai thotë se nuk është konsultuar me autorët e veprës. Në reagimin e tij, regjisori e kundërshton këtë mënyrë veprimi dhe e cilëson si një tjetër problematikë të festivalit.
“Më thonë se në program qenka edhe dokumentari “Rikard”. Po si është vendosur një film në program pa pyetur dy autorët kryesor regjisorin dhe skenaristen? “Rikard” nuk është thjesht një titull programi. Është një vepër e realizuar me regji të Mevlan Shanajt dhe skenar të Natasha Lakos. Si autor i shumë filmave, Rikardi u rrokullis nga varri. Dhe më tha: “Të lutem, mos e lejo mynxyrën të ligjërohet kaq. Keq””, vijon Shanaj reagimin e tij.
Qëndrime kritike ndaj institucioneve
Edhe më herët, Mevlan Shanaj ka shprehur qëndrime kritike ndaj institucioneve dhe Ministrisë së Kulturës për çështje që lidhen me artin dhe kinematografinë shqiptare. Në reagimin e tij, ai shprehet se vendi ynë po tregon mungesë të mekanizmave në art dhe kulturë. “Shqipëria vetëm me këto argumenta tregon shkoqur se nuk ka mekanizma të artit dhe kulturës. Turp!
Nuk pres reagim nga personat përgjegjës zyrtarë si Gonxhe dhe Jorgji të dalin në konferencë shtypi dhe të përgjigjen për këto fakte, sepse nuk janë të përgjegjshëm për çorbën që po hanë”, thotë ai. Herë pas here në reagimet e tij, regjisori Mevlan Shanaj ka ngritur çështje që lidhen me artin dhe kulturën në Shqipëri, duke shprehur qëndrimin e tij edhe ndaj mënyrës së veprimit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Reagimet e tij kanë sjellë në diskutim nevojën për më shumë mbështetje ndaj krijuesve dhe zhvillimit të jetës kulturore në vend.








































