Një prej veprave më të njohura të letërsisë botërore vjen në skenën shqiptare. “1984”, romani i George Orwell, do të jetë premierë teatrore në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra vjen në skenë me regji nga Dino Mustafiç, si një produksion i ri i sezonit artistik 2026-2027. Një vepër që sjell në qendër kontrollin, pushtetin, manipulimin dhe luftën e individit për liri, duke e bërë historinë e Orwellit po aq të fortë edhe për publikun e sotëm. Puna e regjisorit me aktorët ka nisur, ndërsa në skenë po merr formë një prej veprave më të njohura të letërsisë botërore. George Orwell, pseudonimi i shkrimtarit, gazetarit dhe eseistit anglez Eric Arthur Blair, është një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit XX.
I njohur për kritikën ndaj totalitarizmit dhe abuzimit me pushtetin, ai la pas vepra që vijojnë të lexohen edhe sot, mes tyre “Ferma e kafshëve” dhe “1984”. Në krye të këtij produksioni është Dino Mustafiç, një prej regjisorëve të njohur të teatrit, që sjell këtë herë në Tiranë një prej teksteve më të fuqishme të shekullit XX, “1984” të autorit George Orwell.
Bashkëpunimi i regjisorit Dino Mustafiç me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nuk është i ri. Më parë në skenën e këtij teatri u ngjit shfaqja “Hello, I am Mephisto”, e realizuar si një bashkëpunim ndërkombëtar. Regjisori Mustafiç ka vënë në skenë edhe shfaqjen “Equus” në Teatrin Kombëtar në Tiranë më parë, ndërsa në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup ka sjellë në skenë “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Po ashtu, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, ai ka sjellë shfaqjen “Rock’N’Roll”.
Sezoni i ri artistik
Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell një program që përfshin premiera, pjesëmarrje në festivale dhe produksione të reja skenike. Gjatë muajit shtator, teatri do të prezantojë shfaqjen “Babai” në festivalin “Kokofest 2026” në qytetin e Korçës, ndërsa më 17 shtator pritet që të ngjitet në skenë premiera “Big Baby”, me regji të Endri Çelës.
Por me aktivitetet e muajit shtator që nis dhe sezoni i ri artistik, në teatër ka nisur puna për një tjetër produksion, vepra “1984” e George Orwell, me regji të Dino Mustafiç dhe dramatizim të Jeton Nezirajt. Shfaqja, e cila pritet të ketë premierën në tetor, i bashkohet programit të ri artistik si një prej produksioneve kryesore të këtij sezoni. Më herët Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” hapi thirrjen për audicion për aktorë për shfaqjen “Zot”, me autor Ferdinand von Schirach dhe regji të Norbert Rakowskit.
Ky projekt do të realizohet si bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Shqipëri dhe Teatrit të Gjilanit në Kosovë. Bashkëpunimi me Teatrin e Gjilanit i shtohet kështu kalendarit të bashkëpunimeve të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” gjatë sezonit të ri, duke sjellë në skenë projekte të realizuara në bashkëpunim me institucione të tjera teatrore.










































