Gala operistike çel sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke vendosur në qendër të vëmendjes një program me muzikë, balet, traditë dhe krijimtari bashkëkohore. Më 10 shtator, TKOB hap dyert për publikun me mbrëmjen e galasë, që shënon nisjen e sezonit të ri.
Kalendari vijon me koncerte për të vijuar me turneun e Ansamblit Kombëtar në Itali, me festivalin “Jazz in Albania” dhe tri mbrëmjet e operetës “Die Fledermaus”. TKOB shprehet se shtatori çel një sezon të ri artistik në teatër, me një kalendar të pasur. “Opera, baleti, tradita, edukimi dhe krijimtaria bashkëkohore bashkohen për t’i dhuruar publikut emocione të reja”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.
Në galanë operistike në mbrëmjen e datës 10 shtator, solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së bashkohen me dy emra të mirënjohur të skenës ndërkombëtare, tenorin Stefan Pop dhe dirigjentin Simone Di Felice. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit premton një mbrëmje me muzikë, interpretim dhe emocione përmes kryeveprave të repertorit operistik.
“Nën shkëlqimin e kryeveprave të repertorit operistik, zërat, muzika dhe interpretimi do të ndërthuren në një festë të madhe të artit, plot elegancë, pasion dhe emocione të paharrueshme. Më 10 shtator, sipari ngrihet për një sezon të ri artistik”, thuhet nga TKOB.
Programi artistik gjatë shtatorit
Sezoni i ri artistik do të vijojë gjatë muajit shtator me një program të larmishëm, që përfshin koncerte, balet, operetë dhe aktivitete të tjera artistike. Në hollin koncertor në 15 shtator në mbrëmje “Koncert LIED” sjell vepra nga Wanger, Mahler, Rucker dhe Schoeck. Mezzo soprano Flaka Goranci dhe në piano Silva Skënderi. Po këtë ditë paradite është aktiviteti “Një ditë në teatër”-Open Opera një eksperiencë e dedikuar fëmijëve dhe familjeve për të zbuluar teatrin nga brenda, duke u njohur nga afër me hapësirat artistike.
Në 16 shtator koncerti recital “Preludi i një rruge” sjell pianisten Norena Gaxha, pedagoge Ardita Bufaj të ftuar Erando Marku, Enriko Pepa, pianiste Oneila Llanaj, pedagoge Ema Kançi. Këtë shtator do të jetë një tur artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në disa qytet të Italisë, me koncerte që nisin në datë 19 dhe përfundojnë në 22 shtator.
Në 22 dhe 23 shtator do të jetë festivali “Jazz in Albania International Festival”, ku koncertet do të jenë në hollin koncertor të TKOB. Festivali vjen në edicionin XVI i organizuar nga shoqata “Syri blu” dhe “Albanian Jazz Society”. Në datat 25, 26 dhe 27 shtator do të jetë opereta “Die Fledermaus” nga Johann Strauss, dirigjent Andrea Solinas, regjisor Renato Zalla dhe skenografia Bashkim Zahaj e kostumografia Enada At’Nikolla, që bën bashkë orkestrën, solistët, korin dhe trupën e baletit të TKOB.
Kalendari artistik i shtatorit mbyllet me Koncert Portret-Isak Shehu me pjesëmarrjen e Orkestrës së Harqeve. Pas shfaqjeve dhe koncerteve të shtatorit, programi artistik i TKOB-së vijon me aktivitete të tjera gjatë sezonit të ri.










































