Nga Julia Vrapi
Mungesa e hapësirave të përshtatshme për ekspozita dhe mungesa e vëmendjes institucionale po e vështirësojnë aktivitetin e artistëve të artit figurativ. Galeria Kombëtare e Arteve vijon të jetë e mbyllur për shkak të punimeve që nisën në tetor 2021, ndërsa në Tiranë mungojnë dhe sallat e përshtatshme për ekspozita. Kritikat drejtohen ndaj Ministrisë së Kulturës dhe ministrit Blendi Gonxhja për mungesë mbështetjeje dhe dialogu me komunitetin artistik. Artistët kërkojnë hapësira dinjitoze ekspozimi dhe politika konkrete për artet pamore.
Piktori Sadik Kasa e sheh mungesën e hapësirave të përshtatshme për ekspozita si një nga problemet kryesore me të cilat përballen sot artistët. Ai kritikon gjithashtu mungesën e vëmendjes së Ministrisë së Kulturës ndaj artit figurativ. “Problemi më imediat është se sot nuk kemi një ambient të përshtatshëm për ekspozita. Duam të bëjmë një ekspozitë, por në Tiranë nuk ka hapësira të përshtatshme, nuk ka salla ekspozitash.
Unë nga Elbasani, për 70-vjetorin tim kam shkuar deri në Pejë e Ulqin për të organizuar ekspozita, ndërsa në Tiranë nuk arrij të bëj një ekspozitë. Koncertet në shesh organizohen kollaj, sepse mblidhen njerëzit dhe bëhet muzikë. Por sa i përket artit figurativ, ka mungesë vëmendjeje nga Ministria e Kulturës. Ky është një problem që duhet të marrë zgjidhje”, thotë ai. Në vijim të reagimit të tij, piktori Sadik Kasa e ngre si problem mungesën e një ekspozite kombëtare dhe të një konkursi që do të shërbente si nxitje për piktorët.
“Ne nuk kemi një ekspozitë kombëtare. Ndërkohë, ne ftohemi në shtete të tjera për të ekspozuar dhe është e pakuptueshme që këtu të mos organizohet një konkurs kombëtar, ku të përfshihen artistët, të paktën ata që vazhdojnë të punojnë me penel. Ne kemi mbetur artistë të penelit. Mosha mesatare e piktorëve që vazhdojnë të krijojnë është rreth 70 vjeç. Një konkurs nuk është thjesht një garë për të përcaktuar se kush është më i miri. Ai është edhe një stimul për artistin”, shprehet ai.
Mbështetja financiare dhe institucionale
Kasa ngre shqetësimin për mungesën e mbështetjes financiare dhe institucionale për artistët. Ai thekson nevojën për kushte më të mira dhe një angazhim më të madh të shtetit ndaj artit figurativ. “Unë jam pjesë e grupimit “Plein Air”. Jo vetëm që nuk kemi sponsorizime, por përveç taksave që paguajmë, duhet të paguajmë edhe sallën ku ekspozojmë. Duhet të ndihet më shumë mbështetja e shtetit për artistët.
Është e domosdoshme që në Tiranë të ketë një sallë ekspozimi që të funksionojë gjatë gjithë vitit, në mënyrë që artistët të kenë një hapësirë të denjë dhe të qëndrueshme për të ekspozuar. Galeria Kombëtare e Arteve ende nuk është hapur, sepse atje vijojnë punimet. Edhe Muzeu Historik Kombëtar, ku kishte sallë ku ekspozonim është mbyllur. Unë isha në Pejë dhe atje kishte një sallë ekspozitash dinjitoze.
Piktorit i duhet komoditeti, i duhet një sallë ekspozitash, ndriçimi dhe kushtet e duhura. Emergjente është krijimi i një hapësire të denjë ekspozimi në Tiranë, sepse këtu është jeta kulturore dhe artistike”, thotë piktori. Pas Kasës, edhe skenografi Bashkim Zahaj ngre si problem mungesën e përfaqësimit të artit figurativ. Ai kërkon më shumë vëmendje institucionale dhe zgjidhje konkrete për artistët.
“Artistët e artit figurativ janë të papërfaqësuar. Kjo lexohet në qytet, sepse arti figurativ është i papërfaqësuar dhe këtë e kuptojnë edhe profesionistët e fushës. Mungesa e ekspozitave që organizohen është një tjetër tregues. Sot kanë mbetur vetëm disa hapësira, si Galeria e Tiranës, e cila është e vogël, Galeria FAB që është në administrim të Universitetit të Arteve, si dhe COD. Por janë shumë pak.
Sot kemi të mbyllur edhe Muzeun Historik Kombëtar, ku kishte dy salla ku artistët ekspozonin, edhe pse paguanin qeranë ditore. Punimet në Galerinë Kombëtare të Arteve vazhdojnë dhe janë zvarritur. Nuk ka një staf artistësh në ministri, që t’i bëjë propozime konkrete ministrit Gonxhja se çfarë i nevojitet Tiranës. Nëse do të kishte një staf të tillë, do të hartonte disa pika dhe do t’ia paraqiste ministrit”, thotë Zahaj, që dhe më parë në reagimet e tij ka shprehur kritika në drejtim të institucioneve.
Pasurimi i fondit me vepra arti
Piktori Ardian Devolli kërkon më shumë blerje veprash për pasurimin e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ashtu si edhe artistët e tjerë, Devolli ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e hapësirave të mjaftueshme për ekspozim në Tiranë. “Janë blerë shumë pak vepra arti për pasurimin e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Kur të shkruhet historia e këtij vendi, do të ketë boshllëqe nëse flasim për artin figurativ.
Ndërkohë, nuk ka hapësira të mjaftueshme për ekspozita me grupime piktorësh. Edhe Galeria FAB e Universitetit të Arteve ka problemet e veta. Pedagogët nuk paguajnë, ndërsa artistët e tjerë duhet të paguajnë rreth 15 mijë lekë të reja qera në ditë. Kjo nuk e ndihmon artistin. Në gjithë botën artistët figurativë subvencionohen dhe mbështeten. Ne nuk dimë të kemi marrë ndonjëherë një mendim nga ministri Gonxhja, si krijues, për problemet që kemi sot”, thotë Devolli.
Kritikat ndaj Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe ministrit Gonxhja lidhen me mungesën e vëmendjes dhe mbështetjes për artin figurativ. Artistët kërkojnë zgjidhje konkrete për hapësirat e ekspozimit, financimin dhe pasurimin e fondit të veprave të artit në GKA, si dhe më shumë dialog me institucionet për problematikat e tyre. Galeria Kombëtare e Arteve mbylli dyert për rikonstruksion në tetor të vitit 2021.
Në shtator 2026 gati pesë vjet më vonë ajo vijon të jetë e mbyllur dhe nën rikonstruksion. Mungesa e saj për kaq gjatë e ka lënë Tiranën pa një prej institucioneve më të rëndësishme kombëtare të artit, ndërsa debati për mbështetjen dhe vëmendjen institucionale ndaj arteve pamore mbetet ende i hapur.








































