Pas Meksikës, Trump shtyn vendosjen e tarifave me 30 ditë edhe për Kanadanë. Trudeau zbardh telefonatën me presidentin amerikan: Rrisim sigurinë kufitare

0
20

Donald Trump ka vendosur të pezullojë për 30 ditë rritjen e tarifave për Kanadanë. Presidenti amerikan pati paralajmëruar se tarifat për mallrat kanadeze do të rriteshin me 25% gjë e cila do të dëmtonte jo pak industrinë prodhuese të Kanadasë.

Lajmin për ndalimin e përkohshëm të tarifës e ka dhënë kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau përmes një postimi në rrjetin social X. Më herët dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike.

Në këmbim të shtyrjes së tarifave, Kanadaja do të investojë në sigurinë kufitare, do të krijojë një “Forcë të Përbashkët Sulmuese Kanada-SHBA për të luftuar krimin e organizuar, kontrabandën e fentanilit dhe pastrimin e parave” dhe do t’i bashkohet SHBA-së në emërimin e karteleve meksikane si grupe terroriste, tha Trudeau.

“Unë kam nënshkruar gjithashtu një urdhër të ri të inteligjencës për krimin e organizuar dhe fentanilin, dhe ne do të investojmë 200 milionë dollarë”, thekson kryeministri i Kanadasë.

Më herët, presidenti Trump njoftoi se kishte vendosur të pezullonte “menjëherë për një muaj tarifat me Meksikën”. Vendimi vjen pas një bisede që ai dhe Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum zhvilluan sot.

Kjo e fundit njoftoi se Meksika do të vendosë menjëherë në kufi 10 mijë trupa të gardës kombëtare me synimin për ndalur trafikun e drogës drejt Shteteve të Bashkuara. Po sot Presidenti Donald Trump njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe se do të bisedonte me të sërish në orën 15:00 me orën lokale të Uashingtonit.

Më herët Shtëpia e Bardhë tha se kishte vënë re Meksika kishte treguar “seriozitet” për të zbatuar atë çka parashikon urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump lidhur me tarifat, ndërsa Kanadaja i ka “keqkuptuar” ato, duke e parë si një luftë tregtare, mes dy vendeve fqinje.

Vendimi i presidentit Trump mbi tarifat që hyjnë në fuqi të martën kanë nxitur një luftë tregtare që mund të dëmtojë rritjen ekonomike globale si dhe rritje të inflacionit.

Tregjet financiare në ‘Wall Street’ dhe në mbarë botën shënuan rënie nxitur nga vendimi mbi tarifat i Presidentit Donald Trump.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here