Kuvendi miratoi të premten ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2024 me 76 vota pro dhe 25 vota kundër. Akti Normativ ka në fokus kryesor reflektimin në buxhetin vjetor të disa rishikimeve në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, të cilat synojnë përmirësimin e parametrave të ekzekutimit të buxhetit 2024, në drejtim të përditësimit të projeksioneve të treguesve të konsoliduar për periudhën 2024-2026.
Disa prej çështjeve emergjente që adresohen përmes miratimit të Aktit Normativ, lidhen me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi; zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor, pasi përmes Aktit financohet elementi që ka të bëjë me procesin e regjistrimit të zgjedhësve jashtë vendit; nevojën për të nxitur më tej sektorin e bujqësisë nëpërmjet skemave të reja për subvencionimin e fermerëve, etj.
Ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ do të vijojnë të sigurojnë stabilitetin e parametrave kyç makro-fiskal e buxhetorë, krahas garantimit të trajektores rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike.
Akti Normativ siguron rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, ku vetëm të ardhurat tatimore rriten me 19.2 miliardë lekë, rritjen po me 27.3 miliardë lekë të shpenzimeve buxhetore, si dhe ruajtjen të pandryshuar në masën 57.3 miliardë lekë të defiçitit buxhetor.
Po ashtu, Kuvendi miratoi Aktin Normativ për disa ndryshime në ligjin “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” me 74 Pro dhe 26 kunder 2. Akt normativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
Qëllimi i tij është miratimi i disa ndryshimeve në ligjin “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të cilat do të rregullojnë dhe do të përmirësojnë veprimtarinë e menaxhimin e profesionit të mjekut në Shqipëri, duke siguruar standarde më të larta etike dhe profesionale. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në ligjin ekzistues synojnë të forcojnë rregullat dhe disiplinën brenda profesionit të mjekut, të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie, duke eliminuar konfliktet e interesit gjatë ushtrimit të detyrës.
Nëpërmjet këtij akti normativ synohet të sigurohet që mjekët të veprojnë në përputhje me standardet më të larta etike dhe profesionale, duke garantuar një shërbim shëndetësor të cilësisë së lartë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë” u miratua me 74 vota pro dhe 24 vota kundër. Projektligji “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride”” u miratua me 94 vota pro dhe 1 kundër. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar u miratua me 74 vota pro dhe 6 kundër.
Projektligji “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 74 vota pro dhe 24 vota kundër. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike” u miratua me 75 vota pro dhe 24 vota kundër. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” u miratua me 75 vota pro dhe 1 kundër.