UNESCO reagon për Butrintin: Po monitorojmë, shqetësimet do të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në muajin korrik

0
33

Shqetësimet mbi Butrintin do të shqyrtohen në sesionin e ardhëm të Komitetit të Trashëgimisë Botërore. UNESCO ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi marrëveshjen e qeverisë shqiptare me fondacionin shqiptaro-amerikan për menaxhimin e parkut të Butrintit. Kjo bëhet me dije nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që ka publikuar shkresën nga UNESCO. “Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Lazare Eloundou Assomo konfirmon se ky komitet është duke monitoruar nga afër gjendjen e ruajtjes së pronës së trashëgimisë botërore “Butrint”. Këto shqetësime do të shqyrtohen nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të ardhshëm të 46-të, që do të mbahet në Nju Delhi, Indi, nga 21-31 korrik 2024. Të shpresojmë që ky hap i ndërmarrë nga UNESCO të mos i paraprijë vendosjes së Butrintit në listën e pasurive botërore në rrezik”, thuhet nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në rrjete sociale. Prej kohësh çështja mbi parkun  Butrintit ka sjellë reagime të shumta, jo vetëm të specialistëve të trashëgimisë kulturore në vend, por ka pasur dhe qëndrime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e opozitës për shfuqizimin e ligjit për administrimin e zonave të mbrojtura, pjesë e parkut të Butrintit. Kërkesa e opozitës në Kushtetuese u rrëzua me shumicë votash të anëtarëve të gjykatës. Opozita (Rithemelimi) pretendonte se marrëveshja për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit cënonte identitetin kombëtar dhe kishte probleme ligjore. Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.

Parku i Butrintit në trashëgiminë kulturore

Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Zemra e parkut kombëtar është qyteti antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si monument kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Ndërsa, në 1981 pylli i Butrintit është përshkruar nga ligjet shqiptare në ruajtje për rëndësinë e mjedisit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here