Baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” një vepër që i ka rezistuar kohës rikthehet pas më shumë se dhjetë vitesh në Teatrin e Operës dhe Baletit

0
41

Baleti kombëtar “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Vepra kompozim i Feim Ibrahimit e koreografi të Agron Alisë do të rikthehet pas më shumë se dhjetë vitesh në skenën e TKOB për publikun. “Një vepër shqiptare që i ka rezistuar kohës. Me kompozim të të madhit Feim Ibrahimit, libret të Ismail Kadaresë, koreografi të Agron Aliajt, skenografi e kostumografi të Naxhi Bakallit e baletmaestër, Carlos Montalvan dhe Alisa Gjoni. Dashuria dhe sakrificat për atdheun dhe njerëzit e dashur, lajtmotivi i jetës së heronjve të legjendave shqiptare”, thuhet nga TKOB për veprën që do të jetë në skenë me trupën e baletit për publikun në datat 11, 12 dhe 13 maj. Legjenda nis me Gjergj Elez Alinë, i cili ka nëntë vjet që dergjet në shtrat nga plagët e marra dhe përfundon me duelin e Gjergj Elez Alisë me Bajlozin. Ndonëse me nëntë plagë në trup, Gjergji e vret atë. Në kulmin e gëzimit, ai mbyll sytë përgjithmonë nga plaga e dhjetë që ka marrë, në krahët e të motrës e mes kreshnikëve të tij. Për herë të parë në skenën shqiptare baleti u shfaq në 30 mars të vitit 1986 me dirigjim nga Rifat Teqja dhe në atë kohë Gjergj Elez Alia u interpretua nga Ilir Kerni, Llaqi Nako dhe Arben Kuçaj, ndërsa personazhi tjetër kryesor, Dardina nga Albana Suljemani dhe Julika Islami, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi, etj. Pas vitit 1986, vepra e cilësuar si një nga baletet më të bukur, është rikthyer dhe herë të tjera në skenë.

Kompozitori Feim Ibrahimi

Feim Ibrahimi (Gjirokastër 1935 – Torino 1997) i cilësuar si kompozitori që tronditi tabutë e realizmit socialist, është nga kompozitorët e parë shqiptarë të formuar tërësisht në vend, duke hyrë në Konservatorin Shtetëror të Tiranës në 1962, ku edhe u diplomua në vitin 1966, nën udhëheqjen e Prof. Tish Daija. Menjëherë pas studimeve, punoi si pedagog i kompozicionit, kontrapunktit dhe harmonisë (1966-1973) dhe në vitet 1973-1977 u emërua zv/drejtor i ILA. Periudhën më të gjatë të jetës se tij e kaloi si sekretar për muzikën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në vitet 1977-1991 dhe më pas drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit (1991-1992). Në fund, ishte profesor i kompozicionit në Akademinë e Arteve deri në largimin e tij nga jeta. Vepra e F. Ibrahimit, i përfshin të gjitha zhanret, që nga miniaturat instrumentale,  muzika e filmit, muzika e dhomës, muzika simfonike, koncertet për instrument solist dhe orkestër e deri tek veprat skenike dhe elektroakustike. Ato ekzekutohen me shumë sukses në Shqipëri, Kosovë, Itali, Francë, Angli, Gjermani, Zvicër, Amerikë, etj.

 Veprat e koreografit Aliaj

Agron Aliaj studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës (1950-1956). Emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku realizoi me nivel të lartë artistik interpretativ disa kryerole të literaturës së baletit nacional dhe atij botëror: “Halili dhe Hajrija” (1963), “Delina” (1964), “Cuca e maleve” (1970) apo tek baletet klasike: “Kujdesi i kotë” (1957), “Romeo dhe Zhulieta” (1957), “Francesca da Rimini” (1962), “Lola” (1958), “Paganini” (1963), “Fadeta” (1960), etj. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë është autori i baleteve kombëtare “Cuca e maleve” (1970), “Tokë e pamposhtur” (1977), “Para stuhisë” (1982), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria”, (1966), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur”,  si dhe baletet klasike “Zhizel” (1988), “Don Kishoti” (1990), “Romeo dhe Zhulieta” (1996), “Hirushja” (2002), “Katedralja e Parisit” (2003), “Liqeni i Mjellmave”, etj. Agron Aliaj lindi në Delvinë më 30 tetor 1933 u nda nga jeta në Tiranë, më 17 maj 2012.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here