Piktura dhe skulptura nga 66 autorë ekspozohen në “PranverArt”, ekspozita në edicionin e 14-të me rreth 100 punime

0
66

Punime në pikturë dhe skulpturë janë këtë vit në ekspozitën “PranverArt”. Ekspozita në edicionin e 14-të u hap në hollin e Muzeut Historik Kombëtar dhe bën bashkë 66 autorë, piktorë dhe skulptorë të cilët prezantohen me punimet e tyre më të reja. Ekspozita dhe këtë vit bën bashkë emra të njohur të artit pamor në vend, por pjesë e saj janë dhe artistë të rinj. Nga 66 autorë këtë vit, 10 prej tyre janë skulptorë. Edhe këtë vit ashtu si dhe në edicionet më parë nuk mungojnë autorët që janë që në fillimet e kësaj ekspozite, që vjen me titullin “PranverArt”. Skulptori i njohur Maksim Bushi shprehet se në hollin e muzeut publiku do të shikojë një ekspozitë të mirë. “Boshti kryesor i kësaj ekspozite janë autorët që kanë qenë në themelim, por e kemi pasuruar herë pas here dhe me emra të rinj. Ka pjesëmarrje dhe të rinjtë kanë interes. Si tematikë dihet që është e lirë si gjithnjë dhe mbizotëron mesazhi, mendimi nëpërmjet kompozimeve të ndryshme që kanë. Janë kompozimet, peizazhet, tema e tjera të liria, natyrë e qetë. Zakonisht në këtë ekspozitë është një gjë karakteristike që sivjet janë më figurative, janë më afër dhe pjesës edhe realiste dhe shumë pak ka abstrakte. Kjo është një karakteristikë e kësaj ekspozite. Mendoj që është ekspozitë më e mirë se një vit më parë. Artistët kanë menduar kur kanë punuar, janë përkushtuar më shumë dhe ndihet niveli i saj”, shprehet Bushi. Të gjithë autorët pjesëmarrës janë prezantuar me një apo dy punime. Skulptori Maksim Bushi që është bashkorganizator me piktorin Llazar Taçi thotë se në  këtë ekspozitë është kusht që të gjithë autorët të prezantojnë punime të reja. “Në këtë ekspozitë janë rreth 100 punë të teknikave të ndryshme”, thotë ai. Maksim Bushi tregon se është një ekspozitë serioze dhe me shumë autorë. “Kemi dhe piktorë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit si nga Italia, Greqia, por kemi piktorë dhe nga Kosova, vjen dhe një autor shqiptar nga Lion, Francë”, thotë ai.

Puna me ekspozitën

Ekspozita “PranverArt” është bërë pjesë e jetës artistike në Tiranë prej vitesh. Por skulptori Maksim Bushi thotë se dhe këtë vit vështirësitë për hapjen e saj nuk munguan. “Ka qenë e vështirë për ta mbajtur këtë ekspozitë ndër vite. Nuk është përmirësuar asgjë në drejtim të sponsorizimit të saj. Edhe këtë vit ne kërkuam financim në bashki, por nuk na financuan. Ne dhe këtë vit e organizojmë me forcat tona. Jemi grupimi më i madh i autorëve, mirë është që bashkia ta ketë këtë në aktivitetin e saj. Ne kemi problem kryesor ambientin.  Salla e ekspozitave në muze tani është zënë nga GKA me fondin e saj”, thotë ai. Si skulptor Maskim Bushi prezantohet në këtë ekspozitë me një punim mjaft interesant, që quhet “Intervista”. “Puna ime quhet “Intervista”, ku është ai i forti, ka elementë dhe të policit. Shkopi i policit dhe në majë të tij mikrofoni. Gjithnjë në ciklin e humorit që kam unë të hiperbolës, të ironisë. Ky ishte shqetësimi. Unë jam artist i angazhuar, jo politikisht partiak, por artist i angazhuar shoqëror me shqetësimet, për përsosjen e shoqërisë drejt një shoqërie sa më europiane dhe moderne”, thotë skulptori i njohur Maksim Bushi. Ekspozita do të jetë hapur deri më datë 28 maj në mbrëmje në muze

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here