Tirana fton fansat ta ndjekin ndaj Bylisit, Partizani ka ende shpresë për titullin

0
93

Tirana dhe Partizani kanë ende shpresë se do ta fitojnë titullin këtë sezon. Kuptohet, Tirana është më afër, pasi ndodhet dy pikë para në renditje dhe e ka kaluar pengesën më të vështirë që ishte derbi me barazim, ndaj shihet favorite për të qenë ajo kampionia e vendit. Por Partizani shpreson që njëra prej Bylisit ose Erzenit, ta ndalë ekipin rival, e kështu të përfitojnë “demat” në këtë rrugëtim drejt trofeut. Por edhe Partizani nuk do ta ketë të lehtë, pasi sot do të përballen me Kastriotin, një skuadër që luan për mbijetesë, e në javën e fundit do të jenë përballë Teutës, skuadër që me sa duket po lufton për një vend në kupat e Europës. Gjithçka duket e hapur dhe nuk përjashtohen surprizat. Të kuqtë janë entuziastë që diçka mund të ndodhë në dy javët e fundit, por në kampin e Tiranës, pa e tepruar, duket e kanë nisur të organizojnë festën e titullit. Dëmtimi i disa lojtarëve ka kaluar dhe sot bardheblutë do të presin Bylisin në kuadër të xhiros së 35-të për të mundësuar një trepikësh që do të bënte ta vendosnin dorën tek titulli kampion. Nëse Tirana fiton dhe Partizani nuk fiton, atëherë sigurohet matematikisht titulli. Edhe barazimi i Partizanit i korresponduar me fitoren e Tiranës i nxjerr bardheblutë kampion automatikisht. Pra Partizanit i duhet medoemos fitorja, por nga shifrat duket qartë se edhe Tiranës i duhet me patjetër fitorja.

Vllaznia, shkodranët kanë shpresë për një vend në Conference League

Situata në krye të tabelës është ndezur jo vetëm për titullin, por edhe për pozicionet ë sigurojnë pjesëmarrje në Europë. Tre vendet e para e kanë të garantuar, por do të duhet edhe një pozitë tjetër të luftojë pasi e lejon formati i garës. Por në këtë luftë ka shumë skuadra që pretendojnë dhe nuk dihet se cila do t’ia dalë, sepse janë aty-aty me pikë. Në fakt, skuadra e fundit që do të marrë pjesë në Conference League nga Superiorja do të përcaktohet në dy javët e fundit të kampionatit. Vllaznia, Laçi dhe Teuta do të garojnë për të shoqëruar Tiranën, Partizanin dhe Egnatian në arenën ndërkombëtare. Përballja e javës së 35-të mes Vllaznisë dhe Laçit do të vendosë shumëçka për skuadrën që do të tentojë deri në fund të arrijë vendin e katërt. Shkodranët e nisën sezonin me pretendimet për titull, por tani rrezikohen nga Laçi dhe Teuta dhe për vendin e katërt. Si kurbinasit dhe durrsakët deri para pak javësh ishin në vorbullën mbijetesës, por tani që kanë siguruar qëndrimin ndodhen në lojë për biletën e fundit të Conference League. Shkodranët presin në “Loro Boriçi” rivalët direkt të Laçit e më pas do të vizitojnë Ballshin. Nëse do t’i fitojnë të dyja këto ndeshje atëherë do të jenë ata pjesëmarrës në Europë sezonin e ardhshëm. Në anën tjetër Laçi, jo vetëm duhet të mundë Vllazninë këtë javë e të marrë maksimumin dhe me Kastriotin në shtëpi në javën e fundit, por të shpresojë se Teuta do të lërë pikë së paku në një nga dy ndeshjet që ka. Durrsakët në anën tjetër do të shkojnë në Europë vetëm nëse Vllaznia nuk fiton me Laçin dhe “Djemtë e Detit” koleksionojnë pikët e plota në dy ndeshjet me Egnatian dhe Partizanin. Skuadra më e avantazhuar duket Vllaznia që ka plotësisht fatin në dorën e saj, ndryshe nga Laçi dhe Teuta që kanë nevojë për nga një “asist”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here