Drejtoria e Arkivave pasurohet me mbi 1 milionë njësi dokumentare dhuruar nga Arkivi i Perandorisë Osmane që mbulojnë veprimtarinë e shqiptarëve përgjatë sundimit osman

0
118

Dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, që mbulojnë veprimtarinë përgjatë sundimit osman iu dhuruan Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. DPA është pasuruar me mbi 1 milionë njësi dokumentare, të përftuara në formën e një dhurimi të radhës prej institucionit homolog, Arkivit të Perandorisë Osmane me qendër në Stamboll. Drejtori i Arkivit Ardit Bido shprehet se gjithë arkivi i Stambollit gjendet tani në Tiranë. “Mbi një milionë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët nga arkivi osman, rikthehet në atdhe, përmes pasurimit më të madh që kanë parë arkivat shqiptare ndonjëherë”, shprehet Bido. Dokumentet e marra nën zotërim janë në trajtë digjitale dhe mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë sundimit osman pesëshekullor. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në një njoftim sqaron se mes tyre gjenden vendime dhe dekorime të personaliteteve të ndryshme, siç është kërkesa për ngritjen në grada të Mahmut Pashës; informacione mbi përplasjet politike midis prijësve në hapësirën shqiptare, sikurse konflikti mes Ali Pashës dhe Ibrahim Pashës; evidenca mbi mësimin e shqipes në Vlorë dhe në Shkup; informacione mbi dinastitë e qyteteve shqiptare; të dhëna mbi lëvizjet nacionale shqiptare, greke, serbe, etj, dhe dokumente të karakterit religjoz. “Gjithashtu, pjesë e këtyre dokumenteve që i shtohen fondit të materialeve osmane, janë zhvillimet fetare në rajon, si feja Islame, e Krishterë dhe Judaizmi. Në këto dokumente do të gjejmë edhe dinamikat sipas shoqërive përkatëse”, thuhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në njoftimin për këtë dhurim.

Puna për dokumentet arkivore

Ky dhurim vjen në vazhdën e përpjekjeve disavjeçare të arkivit shqiptar dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, për shkëmbimin e dokumenteve arkivore. DPA shprehet se më herët, në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi i Stambollit ka dhuruar përkatësisht rreth 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente. “Mes tyre gjendeshin urdhëresa, fermanë, të dhëna biografike të Ismail Qemalit, si edhe dokumentacion mbi Ali Pashën, një pjesë e të cilit i është dhuruar organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës”, vijon DPA. Kjo bazë e gjerë kërkimore sipas kësaj drejtorie do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve gjatë periudhës osmane deri në shpalljen e Pavarësisë. Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), u krijua si organ qëndror, megjithëse në varësi të Institutit të Studimeve, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr 21 datë 8.6.1949. Krijimi i tij shënon një moment kulmor për historinë e arkivave shqiptare. Për herë të parë, krahas arkivave të organeve shtetërore, filloi funksionimi i një organi të mirëfilltë arkivor me shtrirje gjithështetërore. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here