Pep Guardiola: Erling Haland do të bëhet legjendë e klubit të Mançester Sitit

0
90

Sulmuesi Erling Haland ka shënuar 9 nëntë gola në 5 ndeshje në Premier League. Asnjë lojtar nuk ka bërë ndonjëherë një start kaq të fuqishëm në Angli. Serxhio Aguerro e ka mbajtur rekordin për më së shumti gola në pesë ndeshjet e para të një lojtari në Premier League, me tetë të tillë. Haland tashmë e ka thyer këtë rekord dhe me siguri se do të bjerë edhe më shumë rekorde të futbollit anglez nëse norvegjezi vazhdon me këtë formë. Madje Haland mund të bëhet lojtari i parë që shënon 40 gola në një sezon të vetëm në Angli që nga Xhimi Greaves i Totenhemit në edicionin 1960/61. Trajneri i Sitit, Pep Guardiola, nuk ka dyshime për këtë. Sipas tij, Haland ka ardhur te Sitit për trofe, por edhe për të thyer rekorde. “Ajo që Haland dëshiron është të fitojë tituj me Sitin. Duke e njohur atë, mund të them se nuk do të jetë shumë i lumtur të thyej rekorde nëse nuk fitojmë trofe si ekip”, ka thënë Guardiola për sulmuesin, i cili shënoi gol me këmbën e majtë, të djathtë dhe me kokë kundër Forestit. Siti po llogaritet favorit i madh për ta fituar titullin e kampionit edhe këtë edicion, falë golave të Halandit dhe startit prej katër fitoreve e një barazimi në pesë ndeshjet e para. Guardiola nuk ka dashur të flas shumë për titullin, por ka thënë se Haland mund të bëhet legjendë e Sitit. Në fakt, Guardiola e ka sfiduar Halandin ta tejkalojë edhe Aguerron, i cili është golashënuesi më i mirë në histori të klubit me 275 gola përgjatë dhjetë edicioneve. “Serxhio është legjendë. Askush nuk mund ta marrë vendin që ai e ka në zemrat e tifozëve të Sitit, pasi i ka shënuar golat më të rëndësishëm në historinë moderne të klubit. Mirëpo, Erlingu ka cilësitë të jetë aty, pra të bëhet legjendë e Sitit. Nuk ka të bëjë me të apo Serxhion. Atë që ka bërë Serxhio është e mahnitshme, por Erlingu e ka këtë talentin e madh”, ka pranuar Guardiola. “Kur Siti e transferoi Erlingun, të gjithë flisnin për atë që kishte bërë në të shkuarën. Ne donim ta ndihmonim atë dhe po shpresoj që ta shijojë këtë dhe të shënojë edhe më shumë gola. Atë që e ka bërë në Norvegji, Austri dhe Gjermani, Erlingu po mundohet ta bëjë edhe në Angli. Ne e kemi ditur prej fillimit se është një lojtar i talentuar dhe për këtë e kemi transferuar”, nënvizoi ai. Edhe Guardiola ka pranuar se Halandi është favoriti kryesor për t’u shpallur golashënuesi më i mirë në Premier League këtë edicion, ndonëse deri më tani i ka luajtur vetëm pesë ndeshje. “Sa më mirë që luajmë, aq më shumë raste Erlingu do t’i ketë për të shënuar gola”, tha Guardiola.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here