Google search engine
Home Sport Richard Lilaj: Në Europian për të treguar dinjitet, kampionati shqiptar meriton notë...

Richard Lilaj: Në Europian për të treguar dinjitet, kampionati shqiptar meriton notë mesatare

0
201

Përfaqësuesja jonë e basketbollit për moshën nën 20 vjeç do të ketë së shpejti një aktivitet që tërheq vëmendjen. Ajo merr pjesë në Divizionin B të Kampionatit Europian, teksa është shortuar në grup me skuadra si Zvicra, Sllovakia, Finlanda dhe ajo që tërheq më shumë vëmendjen, prania e Serbisë. Përballë tanëve, pra, ndodhen rivalë të fortë, ku rezultati maksimal është shumë i vështirë, por kuqezinjtë e rinj të parketit janë optimistë se mund të bëjnë gjëra të bukura dhe të regjistrojnë, pse jo, rezultate pozitive. Të grumbulluar në Durrës, në ambientet e “Gogës”, shtatlartët e Kombëtares U-20 shpresojnë të bëjnë më të mirën e tyre në këtë aktivitet. Siç jeni njohur, gazeta “SOT” ka sjellë ditët e fundit intervistat me protagonistët kryesorë të ekipit e në numrin e sotëm sjellim qëndrimin e një tjetër basketbollisti, Richard Lilajt, i cili në kampionat luan me Teutën e Durrësit, e që ka mundur të fitojë eksperiencë të mirë edhe në Ligën Unike me ekipin e tij. Madje Lilaj, e vlerësoi pozitivisht kampionatin shqiptar, duke i vendosur notë mesatare.

Kush është Richard Lilaj?

Datëlindja: 07.11.2002

Vendlindja: Tiranë

Klubi: Teuta (por ka luajtur edhe me Tiranën e Kamzën)

Pozicioni: Organizator, anësor

Shtatlartësia191 cm

Ndeshje me Kombëtaren: 8

Richard Lilaj: Në Europian për të treguar dinjitet, kampionati

– Çfarë ju ka lidhur me basketbollin, si ndodhi që u bëtë pjesë e tij?

– Në basketboll më ka shtyrë im vëlla. Në fakt, në fillim unë e kam nisur me futbollin, por duke parë disa cilësi të miat ai më shtyu drejt basketbollit dhe më pas unë iu përkushtova këtij sporti. Kam luajtur me disa skuadra, por së fundmi kam qenë pjesë e Teutës së Durrësit.

– Si do ta përshkruanit sezonin e Teutës në tërësi?

– Teuta ka bërë një sezon të mirë dhe fakti që ka fituar titullin kampion me plot gojën mund të thuhet se ka bërë një sezon të suksesshëm. Në këndvështrimin personal për mua ishte sezon mjaft i mirë, pasi fitova eksperiencë në elitë. Trajneri Lazimi ma dha mundësinë të aktivizohesha dhe parë në këtë formë për mua ka qenë arritje e konsiderueshme. Ne fituam titullin kampion dhe Superkupën e kjo është gjë e madhe për klubin, por edhe për mua si lojtar.

– Ju patët goxha paraqitje edhe në Ligën Unike. Cili është mendimi juaj për këtë aktivitet dhe prezantimin tuaj aty?

– Ndeshjen me Golden Yllin e kemi humbur me një pikë, ka qenë një nga ndeshjet deçizive. Në të vërtetë edhe rivalët na thanë që e meritonim ne, por ndodhi diçka në fund që rezultati u buzëqeshi atyre. Megjithatë, duhet të kuptojmë se skuadra e Yllit kishte buxhet shumë më tepër se ne. Nga ana tjetër, Peja, si fituese e Ligës, nuk mund të gjykohet. Në përgjithësi, dominimi i skuadrave kosovare nuk ndodh thjesht për shkak të elementëve, por se ata janë klube të organizuara. Basketbolli në Kosovë mbështetet më shumë se tek ne dhe atje basketbolli është sport i parë. Në të kundërt, edhe ne u përpoqëm dhe unë nuk kam parë ndonjë ndryshim thelbësor, por i mëshoj faktit se diferencën e bën mbështetja që ata marrin.

– Së shpejti do të keni ndeshjet në Divizionin B të Europianit. Cilat janë objektivat tuaja?

– Objektivi ynë është të luftojmë në çdo ndeshje për maksimumin. Kuptohet, nuk do të jetë e lehtë, asgjë nuk është e lehtë, por shpresojmë të dalim sa më mirë. Ne nuk duhet kurrsesi ta nisim si humbës, edhe pse në grup nuk konsiderohemi favoritë, por të futemi me përkushtim për të marrë më të mirën nga çdo ndeshje. Dakord, rivalët mund të jenë më të mirë se ne, por ne nuk na mungon as vullneti e as përgatitja për të rivalizuar deri në fund. Ne do të luftojmë për fitore në çdo takim, por sa do t’ia dalim po ia lëmë fushës ta tregojë. Në grup me ne janë edhe serbët. Dihet se basketbolli i tyre ka nivel të lartë dhe ata kanë lojtarë me parametra elitarë, por ne nuk frikësohemi, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë. Të shohim a do të mund të dalim me rezultat pozitiv përballë tyre.

– A i njihni rivalët, pra a i keni studiuar?

– Ditët e fundit kemi analizuar disa ndeshje të tyre, pra i kemi parë si luajnë, kë kanë pika të forta dhe pika të dobëta. Por nuk është se i njohim shumë, që të krijojmë një ide më të mirë. Siç thashë, po i shohim disa ndeshje të tyre që të krijojmë ide e për këtë po mbajmë shënime.

– Çfarë pozicioni në grup keni si objektiv?

– Nuk kemi ndonjë objektiv medoemos, nuk kemi të fiksuar ndonjë pozicion. Siç thashë, ne po përgatitemi për të bërë më të mirën tonë në fushë, për të marrë maksimumin, varet sa do t’ia dalim. E ripërsëris, qëllimi ynë është të fitojmë çdo ndeshje, të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë.

– Ku keni planifikuar të luani sezonin tjetër? Keni pasur oferta gjatë kësaj periudhe?

– Nuk kam pasur oferta konkrete, por do të flas për këtë çështje në momentin e duhur, mendoj pasi të mbarojmë angazhimet me Kombëtaren U-20. Unë kam pasur kontratë njëvjeçare me Teutën, kontratë e cila tani ka përfunduar. Nëse klubi më propozon të rinovoj kontratën, unë do ta bëj, pra do të pranoj, sepse Teuta është skuadër me cilësi, këtu ka pretendime për trofe dhe ndihem mirë me grupin.

– Shumë lojtarë që kemi intervistuar duan të luajnë jashtë vendit. A është ky qëllim i vlefshëm dhe për ju?

– Natyrisht që kampionatet jashtë janë më cilësore dhe, për lojtarët, të luajnë në kampionate elitare është diçka e madhe për karrierën e tyre. Atje niveli është shumë më lart dhe trajtimi më i mirë. Dëshira ime është të luaj jashtë, sigurisht, por e thashë edhe më lart, nuk kam marrë oferta. Nëse do të vinin oferta do t’i shqyrtoja dhe do të vendosja, por për momentin pres si do të shkojnë gjërat në kampionat, brenda klubeve shqiptare.

– Cili është mendimi juaj për nivelin e kampionatit shqiptar? Psh. nga 0 në 10, çfarë note do t’i vinit kampionatit shqiptar, Superligës së basketbollit tonë?

– Unë do t’i vendosja një notë nga 7 në 8. E them këtë me kënaqësi pasi punohet, ka vullnet dhe dëshirë për të pasur më shumë cilësi, në kampionatin shqiptar ka sakrificë. Këtu vijnë shumë të huaj që sjellin eksperiencën e tyre, duke nxitur të përfitojnë edhe elementët vendas. Vllaznia, Partizani e shumë klube të tjera kanë lojtarë të huaj cilësorë, prej të cilëve fitojnë përvojë të rinjtë tanë. Kjo i nxit lojtarët shqiptarë të punojnë më shumë dhe të lakmojnë edhe trofe. Sezonin e kaluar Teuta fitoi kampionatin dhe Superkupën, kurse Kupën e fitoi Tirana. Që lojtarët shqiptarë të kapin majën duhet të punojnë më shumë, të fitojnë përvojë dhe që të kapin trofeun duhet të sakrifikojnë më shumë në stërvitje dhe në lojë.

– T’i kthehemi dhe një herë Europianit. Të premten luani ndeshjen e parë, pikërisht me Zvicrën. Sa ndikon kjo ndeshje në ecurinë e grupit?

– Mendja jonë si skuadër punon vetëm për këtë aktivitet. Ne jemi stërvitur dhe po punojmë për ndeshjet. Me Zvicrën duam patjetër fitoren, pasi ndeshjet e para kanë gjithmonë vlerë në këtë rrugëtim. Nuk mund ta mohoj që është ndeshje e rëndësishme. Unë do ta cilësoja edhe si ndeshja çelës për ne në grupin D, kurse me serbët nuk jemi favoritë, ata qëndrojnë më lart si skuadër. Por kjo nuk do të na pengojë për të dhënë më të mirën tonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here