KPA la në fuqi shkarkimin e Ardian Yllit për shkak të bilancit negativ, rezultonte me 4.1 milionë lekë të pa justifikuara

0
112

KPA ka lënë në fuqi shkarkimin e ish-prokurorit Ardian Ylli për shkak të bilancit negativ. Në përpjekje për të vënë në vijë llogaritë, nga të cilat sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rezultonte me 4.1 milionë lekë të pa justifikuara me burime të ligjshme në 9 vjet, ish-prokurori Ardian Ylli këmbënguli, në ankimin e bërë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, se provat e paraqitura prej tij nuk ishin vlerësuar drejt. Por në vendimin e zbardhur të KPA, e cila la në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e Yllit, thuhet se Komisioni në të vërtetë e kishte favorizuar ish-prokurorin në shkelje të ligjit për vetingun. Kolegji megjithatë arsyeton se pavarësisht këtij favorizimi bilancet e Yllit mbetën negative dhe se vendimi i shkarkimit ishte i drejtë. “Nga shqyrtimi i përmbajtjes së fashikujve dhe përmbajtjes së vendimit, rezulton në fakt e kundërta. Konkretisht, në kundërshtim me detyrimet që përcakton neni 49, pika 4 e ligjit nr. 84/2016 për ta bazuar vendimin në dokumente dhe prova të besueshme, Komisioni ka pranuar deklarime të paprovuara me akte dhe dokumente shkresore të subjektit, në favor të analizës financiare të pretenduar prej tij”, thuhet në vendimin e trupës së Kolegjit që la në fuqi vendimin e Komisionit. Trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ardian Hajdarin, Natasha Mulajn dhe Sokol Çomon, rrëzoi të gjitha pretendimet e Yllit, përfshi ato për shkelje procedurale, duke arsyetuar se atij i ishte bërë një gjykim i drejtë dhe se masa e marrë ishte në përputhje me gjetjet. Bazuar në vendimin e KPA Ylli u ankua kryesisht sa i përket mos marrjes parasysh nga KPK të pretendimeve të tij për shpenzimet dhe për të ardhurat. Kolegji shprehet në vendim se ish-prokurori pretendoi se vendimi i KPK ishte pasojë e një vlerësimi të padrejtë të provave të paraqitura prej tij, e një interpretimi të gabuar të dispozitave të ligjit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj