Kina jep spektakël në hapje të Lojërave Olimpike Dimërore, tre shqiptarë përfaqësojnë 3 shtete ballkanike

0
202

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësohen me nga një skiator e të tre ata janë shqiptarë. Garat mbyllen më 20 shkurt

Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022” nisën zyrtarisht ditën e djeshme, fill pas zhvillimit të ceremonisë hapëse që zgjati për më shumë se dy orë. Kjo ceremoni u mbajt në stadiumin “Foleja e Zogut” në Pekin ndërsa parakaluan 91 shtetet pjesëmarrëse. Shumica e ekipeve olimpike ishin të përgjysmuara në ceremoni për shkak të rasteve pozitive që i kanë pasur pas arritjes në kryeqendrën kineze. Edhe ekipi olimpik i Kosovës, parakaloi pa skitaren Kiana Kryeziu dhe trajnerin Agim Pupovci. Ky i fundit, doli pozitiv në testin për Covid-19 ndërsa Kryeziu nuk është lejuar të jetë e pranishme në ceremoni për shkak të kontaktit të mundshëm. Kryeziu ishte parashikuar që së bashku me Albin Tahirin ta bartnin flamurin e Kosovës. Mirëpo, edhe në këtë Olimpiadë Dimërore, sikurse në atë para katër vjetësh të mbajtur në PyeongChang, skitari Tahiri ishte bartës i flamurit të Kosovës. Në ceremoni, parakaluan edhe ekipet olimpike të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Bartës i flamurit te Shqipëria ishte Deni Xhepa kurse te Maqedonia e Veriut, skitari shqiptar Dardan Dehari. Për herë të parë në këto Lojëra do të paraqiten edhe Haiti e Arabia Saudite, që parakaluan përkrah ekipeve tjera pjesëmarrëse. Sipas traditës, dy ekipet e fundit olimpike që parakaluan në këtë ceremoni ishin Italia dhe Kina. Italia si nikoqire e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2026 parakaloi e parafundit kurse parada u mbyll me delegacionin e Kinës. Fjalimi i presidentit të Kinës, Xi Jingping dhe atij të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach paralajmëruan mbylljen e ceremoninë hapëse të Lojërave të Pekinit. “Faleminderit që po i bëni të mundura këto Lojëra Olimpike Dimërore në një ambient kaq të sigurt”, tha ndër të tjera Bach. “Të dashur bashkë-olimpistë, skena juaj olimpike është vendosur tashmë. Keni arritur deri këto duke kaluar shumë sfida. Tani, momenti juaj ka ardhur dhe për të cilin keni punuar shumë. Ky është momenti që e kemi pritur të gjithë. Ëndrra juaj olimpike po bëhet realitet. Përgjatë dy javëve të ardhshme, ju do të garoni me njëri-tjetrin për çmimet më të larta”. Me ndezjen e flakës olimpike me pishtarin që u bart nga shtatë persona edhe zyrtarisht u mbyll ceremonia hapëse, me të cilën u paralajmërua hapja zyrtare e kësaj ngjarjeje. Olimpiada dimërore “Pekini 2022” do të mbyllen më 20 shkurt. Do të marrin pjesë rreth tre mijë sportistë që do të garojnë në 109 gara në më shumë se 15 disiplina, në 7 sporte të ndryshme.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj