Komedia “A flasim për burrat?”, tre net me radhë për publikun te “ArTurbina”

0
526

Komedia “A flasim për burrat?” nis udhëtimin këtë vit në skenën e Tiranës. Tre mikesha, secila me karakterin e saj të veçantë, punën dhe problemet e saj, të cilat bëjnë që të jenë tre personazhe të ndryshme me problematikat që sot i hasim çdo ditë. Ato takohen që të flasin me njëra-tjetrën për problemet e tyre, i tregojnë gjithçka njëra-tjetrës, i besojnë opinionit dhe mendimit të njëra-tjetrës dhe sigurisht, tema e preferuar e grave janë burrat. Komedia që mbushi sallat në vitin që lamë pas nga kërkesat e shumta, rikthehet në Tiranë në datat 4, 5 dhe 6 shkurt në Teatrin Kombëtar te “ArTurbina”. Me regji nga Andeta Radi, në role janë aktoret Rozana Radi, Belliu Blerta dhe Lola Meta. Komedia rikthehet këtë vit në skenën e Tiranës pas një suksesi më parë në skena të ndryshme si në teatrin e Korçës, tetarin e qytetit të Elbasanit, teatrit të Durrësit, etj, por nuk mungoi edhe në Gjakovë në festival të teatrit. E konceptuar si një komedi situatash që fton për reflektim dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, aktoret Rozana Radi, Blerta Belliu dhe Lola Meta u duartrokitën në vitin që lamë pas edhe për ndërveprimin me spektatorët në salla, që solli mjaft të qeshura. Komedia, që spikat edhe për përzgjedhjen muzikore në funksion të së tërës, do të vijojë të shfaqet dhe gjatë këtij viti, ku aktorja Blerta Belliu thotë se pas Tiranës do të vijojë edhe në skena të tjera për publikun. “Ky rikthim në skenë i komedisë “A flasim për burrat?” vjen në skenë nga kërkesat që ka publiku. Komedia do të vazhdojë turin përsëri në qytete tjera”, thotë mes të tjerave aktorja Blera Belliu, pjesë e komedisë që për tre net me radhë do të jetë në skenën e “ArTurbinës” te Teatri Kombëtar.

Bashkëpunimi me komedinë

Një shfaqje argëtuese mbi fuqinë dhe brishtësinë femërore ku burrat vetëm fizikisht nuk janë, pasi çdo bisedë sillet rreth tyre, fuqisë mashkullore dhe gjetjes së burrit ideal. Komedia vjen për disa net në Tiranë këto ditë të muajt shkurt për publikun, por më herët aktorja Blerta Belliu ka treguar se bashkëpunimi nisi si një ide e tre aktoreve bashkë për të bërë një shfaqje teatrore vetëm me femra, dhe për të marrë një tekst si teksti i Sara Bogatit, i cili është vënë disa herë në skena në mënyra të ndryshme. “Por edhe ajo që do të vinte pjesën teatrore në skenën teatrore të ishte femër dhe të bëheshin katër. Pra tre ne aktoret bashkë me Andetën si regjisore. Teksti është përkthyer dhe përshtatur nga Rozana Radi”, shprehet aktorja Belliu. Aktorja Blerta Belliu thotë se në këtë vepër teatrore edhe publiku është i përfshirë brenda saj. E veçanta që nga teksti sipas aktores Belliu është jo vetëm nga mënyra e të shkruarit, por dhe nga ana e konceptit regjisorial, sepse është përfshirë jo vetëm në lojën e aktorëve me njëra- tjetrën, por dhe publiku është bërë pjesë. “Publiku ka qenë i përfshirë brenda dhe kjo ka shkaktuar humor dhe të qeshura”, tregon aktorja Belliu në një reagim të saj. Kostumet në komedi janë nga Roze by R. Radi, koreografia nga Bardhi Pojani, kitarë Panajot Qorri, në role episodike Valentino Hamati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here