Një 22-vjeçar që ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasja në Holandë, është arrestuar në Rinas. Në pranga ka rënë Mirand Abazi. “Rinas. Policia Kufitare e Rinasit vë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e zbatimit të ligjit të Holandës.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrollit për verifikimin e dokumentacionit të qytetarëve në hyrje dhe në dalje, me qëllim kapjen e personave në kërkim, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, ndaluan shtetasin M. A., 22 vjeç, banues në Belgjikë.
Ky shtetas u kap në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, pasi gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Holanda, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Vjedhja me dhunë”, “Pastrim parash” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga Kodi Penal i Holandës.
Personi në kërkim ndërkombëtar u dërgua në ambientet e paraburgimit të DVP Tiranë, në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, njofton Polcia.