Ushtar “Telushi” flet nga Azerbajxhani: Bëra mirë që ika nga Superiorja, tek Neftçi ka më shumë cilësi

0
166

Nga kampionati shqiptar kanë dalë lojtarë cilësorë, ky është fakt dhe nuk mund të mohohet, edhe pse cilësorët janë shumë pak. Një prej lojtarëve cilësorë të kampionatit të shkuar ishte dhe Bruno Telushi, i cili, për shkak të përkushtimit të tij dhe realizimit të detyrave, mori tek Partizani nofkën “Ushtari”. Por këtë edicion ai nuk preferoi të qëndrojë në kampionatin shqiptar. Megjithëse la Partizanin dhe zgjodhi për pak kohë Kukësin, ai sërish zgjodhi të shkojë jashtë vendit, si pasojë e një oferte që e analizuar edhe tani rezulton efikase. Ai u bë pjesë e Neftçit në kampionatin azerbajxhanas, një skuadër që është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe ka bërë progres edhe në Europë. Nga Azebajxhani i largët Telushi është shprehur se ndihet mirë dhe nuk ka në plan ta braktisë kampionatin azer dhe Neftçin, duke i quajtur cilësisht më lart se Superiorja jonë.

“Nuk kthehem më në Superiore”

Mesfushori pati një rol të spikatur në sukseset e Partizanit dy vitet e fundit, por vendosi të provojë sërish një eksperiencë jashtë vendit, pikërisht në Azerbajxhanin e largët me skuadrën e njohur atje, Neftçin. Kështu, “ushtari” Bruno Telushi vendosi që në këtë sezon të provonte eksperiencën e dytë të karrierës jashtë kufijve të Shqipërisë. Mesfushori qëndroi vetëm pak javë te Kukësi para se të pranonte ofertën e Neftçi Baku në Azerbajxhan, ku është kthyer në një nga shtyllat e skuadrës e cila po lufton për titullin kampion dhe duket se është në gjendje të thyejë hegjemoninë e Karabakut, një tjetër skuadër e njohur për shqiptarët, pasi atje luajti disa sezone Ansi Agolli. “Ne kemi një skuadër të mirë dhe e meriton vendin e parë. Neftçi është në një pozicion që e meriton. Do të bëjmë gjithçka për këtë objektiv. Do të luftojmë për vendin e parë deri në fund të sezonit. Më të fortë se Karabak? Unë mund të flas vetëm për ekipin tim. Neftçi është një klub i fortë dhe e tregon duke qenë kryesues. Ata kanë fituar titullin kampion për shumë vite, por këtë sezon besoj se është momenti për fitoren e Neftçit. Skuadra jonë po tregon një lojë të mirë dhe besojmë te titulli. Unë jam i lumtur që iu bashkova kësaj skuadre, që ka një histori të madhe. Ndryshimi i trajnerit nuk është një problem për mua, gjithçka është në rregull. Kam një marrëdhënie të mirë me të dy trajnerët që kisha në klub”, tha Telushi për mediat azere. Më pas, ai u ndal edhe te eksperienca personale duke krahasuar kampionatet si dhe pranoi se tani ishte e vështirë që të kthehej në radhët e përfaqësueses shqiptare. “Më i fortë kampioanti azer apo shqiptar? Kampionati në Azerbajxhan është më i fortë dhe profesionist. Unë kam qenë për disa ndeshje me ekipin kombëtar shqiptar, por tani është më e vështirë që të bëhesh pjesë e skuadrës”, pranoi mesfushori.

Partizani ul me këmbë në tokë Solomon, pritet ta shesë në Azerbajxhan

Skuadra e Partizanit iu lejua nga Arbitrazhi sportiv që të bënte merkato dhe të kuqtë nuk humbën kohë por janë sulur në treg për të gjetur elementët që bëjnë diferencë. Dhe është fakt që në këtë merkato ka afruar dy futbollistë si Stenio Junior dhe Valentino Murataj, por prezantimi i tyre ende nuk është bërë për një fakt shumë të thjeshtë. Të kuqtë fillimisht duan të shesin dhe lojtari i cili është më predispozuar për t’u larguar është nigeriani Solomon. Ish lojtari i Partizanit të Beogradit, kërkohet nga Neftçi Baku skuadër tek e cila luan edhe ish-mesfushori i të kuqve Bruno Telushi. Fillimisht Partizani kërkonte rreth 100 mijë dollarë për kartonin e Solomon, por tashmë presidenti Demi dhe drejtori Olsi Rama kanë ulur pretendimet e tyre ekonomike dhe Partizani është i gatshëm ta shesë sulmuesin për 50 mijë dollarë, një shifër e pranueshme kjo për arkat e skuadrës azere. Në këtë sezon, Solomon i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2022 me Partizanin është aktivizuar në 12 ndeshje me skuadrën e Dajës duke shënuar dhe 2 gola, teksa është aktivizuar si sulmues krahu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here