Milani bën goditjen e parë në këtë merkato/ Interi në krizë tenton të shesë lojtarë

0
195

Milani dhe Interi janë në pozitat e para të renditjes në kampionatin elitar italian këtë edicion, ku kuqezinjtë pas shumë e shumë vitesh janë kthyer të garojnë si pretendentë për titullin. Edhe Interi ka një ekip të mirë, por diferencën ndërmjet dy skuadrave e bën gjendja e sigurisë tek milanistët dhe e pasigurisë tek interistët. Tek këta të fundit ka pasur zhvillime ditën e djeshme, pasi grupi kinez që ka aksionet bëri një mbledhje urgjente të bordit, ku palët duket se kanë interes të sheshojnë problemet dhe të ndërtojnë një skuadër të aftë për titullin. E ndërkohë që Interi ka dy muaj pa u paguar dhe ka paralajmëruar të bëjë shitje futbollistësh për të mbuluar humbjet, tek Milani janë sulur në merkato për të bërë afrime që kanë peshë në objektivin për titull. Kështu, goditja e parë e Milanit në merkaton e janarit është Soualiho Meite i cili mund të konsiderohet praktikisht një futbollist i kuqezinjve. Milani ka arritur akordin me Torinon për mesfushorin francez i cili në orët e ardhshme do të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas do të bashkohet me skuadrën e tij të re në stërvitje. Një përforcim i rëndësishëm ky për Stefano Piolin duke parë edhe emergjencën që ka Milani në repartin e ndërmjetëm gjatë kësaj periudhe dhe mund të jetë i gatshëm që për transfertën ndaj Kaliarit. Meite transferohet te Milani në formë huazimi me të drejtë blerjeje për një total prej 10 milionë eurosh. 26-vjeçari i cili përpara se të transferohej te Torino është aktivizuar në Francë dhe Belgjikë, me skuadrën Granata në këto dy sezone e gjysmë ka luajtur në 93 takime duke realizuar dhe 4 gola. Ndërkohë, vazhdon kaosi në klubin e Interit, pasi situata që është krijuar te zikaltrit është me të vërtetë e paqartë pikërisht në momentin kur ekipi ishte në rrugën e duhur për të qenë pretendent kryesor për të fituar në Itali e Europë. Drejtuesit kinezë duket se kanë nxjerrë në shitje aksionet e klubit dhe nuk bëhet fjalë vetëm për kuotën e minorancës prej 31%. Kjo është arsyeja se pse Stiven Zhang organizoi dje një mbledhje urgjente të bordit drejtues të klubit. Me një lidhje me “Skype” nga Kina ai do të shpjegojë se si qëndron situata me “BC Partners” që ka nisur kontrollin e situatës financiare në klub pasi është interesuar për blerjen e aksioneve, të minorancës, apo edhe paketës së plotë që kontrollon zikaltrit, nga Suning. Në Itali insistojnë se kjo nuk është kompania e vetme. Normat e reja të vendosura nga shteti kinez për kompanitë vendase që investojnë jashtë, kufizojnë mundësitë për të bërë lëvizje të mëdha dhe kjo është arsyeja pse Suning kërkon partnerë të tjerë, ose të shesë kuotat e plota që ka te Interi. Për të bërë kontrollin e plotë të financave, janë pezulluar shumë pagesa dhe sipas “La Repubblica”, edhe lojtarët nuk kanë marrë ende rrogat e nëntorit dhe dhjetorit. Një situate e pazakontë për një klub të këtij niveli, por që tregon më qartësisht se gjërat nuk janë edhe aq të qeta te zikaltrit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here