KPA përjashton për 15 vite nga sistemi ish-inspektorin e KLD/ Shkarkohet nga detyra gjyqtari Shkëlqim Mustafa

0
271

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka përjashtuar dje për 15 vite nga sistemi i drejtësisë ish-inspektorin e KLD Piro Samarën. Në seancën e ditës së djeshme KPA shqyrtoi ankimimin e dorëzuar nga Komisioneri Publik Darjel Sina kundër vendimit të Komisionit për përfundimin e procesit të rivlerësimit për ish-inspektorin e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Piro Samara. Në përfundim, KPA vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit të Piro Samarës dhe t’i heqë atij të drejtën që të emërohet në organet e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Më konkretisht, Samarës i ndalohet që të emërohet si gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm. Lajmin e bëri vetë Komisioni përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, ku theksohet se ky vendim është përfundimtar dhe hyn menjëherë në fuqi. “Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në ligjin, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr.249, datë 06.03.2020, si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit Piro Samara, me detyrë inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Të deklarojë humbjen e së drejtës së subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15 -vjeçare. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, thuhet në njoftim. Ndërkaq bëhet me dije se, Samara edhe pse ishte njoftuar për seancën nuk ishte paraqitur pa ndonjë shkak. Po ashtu ai nuk paraqiti as vërejtje në lidhje me ankimin e Komisionerit Publik.

Shkarkimi i Mustafës

Ditën e djeshme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa. Gjatë seancës dëgjimore trupi gjykues ngriti dyshime për zotërimin e një apartamenti në Tiranë, të padeklaruar në disa vite. Në fjalën e tij

Mustafa e pranoi mosdeklarimin e adresave gjatë tre viteve dhe e konsideroi si një harresë. Ai shpjegoi se të dhënat në Gjendjen Civile kishin të bënin me pasaportizimin që jo domosdoshmërisht tregonin adresën e banimit. Gjithsesi ky ishte një justifikim i papranueshëm nga trupa gjykuese. Ndër të tjera, komisioni evidentoi se, Shkëlqim Mustafa nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë veting posedimin e një autoveture tip Benz, të blerë në shumën 35 mijë euro + 800 mijë lekë vlera e doganës, nga një i afërm i tij. Sipas relatores, Valbona Sanxhaktari, se nipi i subjektit i cili e kishte blerë makinën në Gjermani nuk e kishte përdorur asnjëherë vetë, duke theksuar se nuk kishte pasur mundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie. Më tej Sanxhaktari tha se gjyqtari Mustafa e ka poseduar gjatë 7 viteve të fundit këtë makinë që i është dhënë për përdorim me autorizim nga pronari I. M., pa afat. Ndërsa Mustafa i hodhi poshtë këto detaje dhe deklaroi se ai nuk e përdorte këtë mjet. Ai pretendoi se mjeti i përkiste një të afërmi tjetër, që jeton dhe zotëron prej vitesh aktivitete në Londër dhe i afërmi tjetër kishte patur të ardhura për blerjen e mjetit. Sipas tij është e gabuar nga që i kishte konsideruar këto vetëm të ardhurat e një viti. Komisioni evidentoi edhe disa parregullsi në blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 126 m2 të ndodhur në një pallat në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, pasuri të cilën Mustafa e ka pasqyruar për herë të parë në deklaratën veting.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here