Fatos Kongoli në 77-vjetor/ Kineasti Spartak Pecani: Kam në duar romanin “Lëkura e qenit”, projekt që ka fituar të drejtën për zhvillim

0
20

Aktiviteti “Nën lëkurën e Fatos Kongolit” kushtuar 77-vjetorit të lindjes së shkrimtarit bëri bashkë autorë, studiues të veprës së tij, botues e përkthyes. Në këtë ditë të shënuar, shkrimtari Fatos Kongoli u vlerësua me një certifikatë mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. “Për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe të pas viteve ’90 ku, nëpërmjet një gjuhe të elaboruar dhe një mozaiku të plotë karakteresh romanore, ka arritur të shpërfaqë dhe të shpjegojë krizën e njeriut modern”, ky është motivacioni i Mirënjohjes, që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit i dha Kongolit në 77- vjetor. I pranishëm në këtë aktivitet shkrimtari Fatos Kongoli shprehu mirënjohjen e tij për njerëzit, që i kanë qëndruar pranë dhe tha se nuk e priste këtë vlerësim dhe ceremoni në këtë kohë pandemie. “Ju falënderoj të gjithëve. Unë mendoj që mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton, pasi ngjitesh deri sipër. Troket tek Shën Pjetri të mbyllet dera dhe kthehesh pas, atëherë e kupton se çfarë është mirënjohja. Faleminderit të gjithëve”, tha me të tjerave Kongoli. Skenari i filmit “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani është bazuar në motivet e romanit të Kongolit. Një film, që deri tani ka marrë dy vlerësime ndërkombëtare. Por dje në 77- vjetorin e autorit, regjisori Pecani bëri me dije dhe një tjetër bashkëpunim për një vepër filmike. “Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarin. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Unë kam sërish në duar romanin “Lëkura e qenit”, që ka fituar të drejtën për zhvillim dhe së shpejti do të hidhet në prodhim. Jam i lumtur, që veprën më të mirë do ta kem në duar në fund të krijimtarisë sime. Kam jetuar prej 15 vitesh ditë për ditë me të. Jam lumturuar me punën, personazhet dhe filozofinë tënde. Çdo ditë fle dhe ngrihem, jetoj me të”, tha mes të tjerave Pecani. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli, në fjalën e saj e cilësoi kontributin e shkrimtarit Kongoli të rëndësishëm në letërsi, por dhe në përshkrimin e dramës së vendit tonë pas viteve ’90. “Një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe pas ‘90, një autor që vepra e tij përshkon gjithë metmorfozën apo dramën e madhe të individit shqiptar pas ‘90. Le të shpresojmë që kjo pandemi do të marrë fund dhe vitin tjetër ditëlindjen do ta kthejmë në një festë”, tha Bardhyli. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi dje aktivitetin, duke respektuar masat ndaj covid-19.

 Krijimtaria e Kongolit

Fatos Kongoli lindi në Elbasan në 12 janar të 1944. Studimet e larta për matematikë i nisi në Universitetin e Pekinit dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës (1967). Ka punuar për një kohë si gazetar dhe më pas si redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i viteve ’60. Deri në vitin 1990 ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para Kongoli përzgjedh “jetët e vogla” njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare. Në 1992 boton romanin “I humburi” , “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë”(1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009). “Iluzione në sirtar”(2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj. Vepra të tij janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane. Ka fituar tre herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjonit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës, dhe “Mjeshtër i madh”(2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2017 është nderuar me titullin Doktor “Honoris Causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj