“Ahengu Shkodran”, tri ditë me aktivitete për publikun

0
405

“Ahengu Shkdoran”, për tre ditë me radhë do të zhvillohet me pjesëmarrjen e artistëve të njohur, por dhe të rinj. Tri ditë me aktivitete kushtuar kësaj kryevepre të trashëgimisë shpirtërore, ku marrin pjesë artistë të rinj dhe të afirmuar si dhe figura të spikatura, lëvrues të kësaj tipologjie. “Ahengun Shkodran” zhvillohet në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, qendrën kulturore “Pjetër Gaci”, DRKK Shkodër, Muzeun Historik Shkodër dhe teatrin “Migjeni”. Programi nis më datë 28 shtator në ora 19:00 me një koncert në Shtëpinë – Muze të kategorisë së parë të rilindasit Pashko Vasa. Marrin pjesë Orkestra Frymore e Shkodrës, të cilët do të interpretojnë pjesë nga krijimtaria me motive folklorike të kompozitorit shkodran Pjetër Dungu, grupi i burrave “Burimi” Ulqin, sazet e Këlcyrës, grupi i vajzave të Dropullit me vallen tradicionale. Në këtë aktivitet, nga QKVT do të jepet një certifikatë dhe trofe mirënjohjeje për Pjetër Dungun. Një ditë më pas, më 29 shtator, në ora 18:00 në odën tradicionale të banesës së familjes Çeka, monument kulture kategoria e parë, do të zhvillohet një aktivitet ku do të marrë pjesë një grup tradicional i interpretimit të “Ahengut Shkodran”, me solist Agim Mollën. Këngët do të shoqërohen me analiza dhe interpretime nga studiues të kësaj tipologjie, si prof. Ridvan Karakaqi, dr. Edmir Ballgjati dhe Behar Arllati. Më 30 shtator në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës, në orën 19:00 do të mbahet koncert me këngë karakteristike nga repertori i “Ahengut Shkodran”, me pjesëmarrjen e artistëve të qendrës kulturore “Pjetër Gaci”, Shkodër. Në këtë natë nga QKVT do të ndahen certifikata dhe trofe mirënjohjeje për figura të shquara, lëvrues të “Ahengut Shkodran”. Shqipëria ka nisur të kremtojë Ditët Europiane të Trashëgimisë Kulturore prej vitit 1998. Nga 24 deri 29 Shtator janë ditë të hapura, që shoqëria duhet të kujtojë e tu kthehet vlerave të trashëgimisë kulturore, që vijnë si trashëgimi nga shekujt e nga brezat. Trashëgimi që sot gjendet në muzeume, por edhe në monumente kulturore, site arkeologjike, objekte kulti, artizanale, krijimtari shpirtërore, zakone, doke, rite etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here