Europian i përbashkët me Serbinë, UEFA çon në kalendat greke aplikimin e FSHF

0
36

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Serbisë kanë paraqitur kandidaturë të përbashkët. Kandidatura e tyre ishte e vetmja që është bërë në afatet e parapara. Që në shtator nga UEFA kanë thënë se vendimi final do të merrej në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Konfederatës Evropiane të Futbollit, të mbajtur të hënën më 16 dhjetor në Lozanë të Zvicrës.

Ndonëse vendimi final ishte paralajmëruar nga UEFA, por edhe nga FSHF-ja e nga Federata e Futbollit e Serbisë, caktimi i pritësve të “Euro 2027” për U-21 nuk ishte përfshirë fare në rend të ditës për mbledhjen e 16 dhjetorit. Dhe rrjedhimisht vendimi nuk u mor. Zyra e UEFA-s për raporte me media ka dhënë një njoftim zyrtar për këtë. “Kjo çështje nuk ishte pjesë e agjendës për mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Lozanë”, shkruan në përgjigje.

Ndikuan shqiptarët që ishin kundër nismës?

Ndonëse pritej, ky organ i lartë i UEFA-s nuk ka shqyrtuar dhe nuk ka vendosur për Evropianin Shqipëri – Serbi. Nuk është saktësuar nëse kjo është bërë për shkak të reagimeve të shumta të shqiptarëve, që kundërshtojnë një organizim të tillë. Mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është në fillim të muajit shkurt. Dhe ende nuk dihet nëse vendimi do të merret.

“Agjenda për mbledhjen e ardhshme në fillim të shkurtit nuk është caktuar ende”, shkruan në përgjigjen e Zyrës për media të UEFA-s. Kundërshtarët e shumtë të një Europiani Shqipëri – Serbi shpresojnë se vendimi nuk do të merret asnjëherë. Ka pasur kundërshtime të hapura për këtë evropian të përbashkët, sidomos nga tifozët, por edhe nga personalitete të futbollit. Ndër të tjera është kundërshtuar edhe nga kapiteni ikonik i Shqipërisë, Lorik Cana.

Qëndrimet e palëve

Ndërkohë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mbrojtur vazhdimisht idenë e një organizimi të tillë. Ka thënë se benefitet janë të mëdha për futbollin e Shqipërisë, por ka thënë se përfiton edhe Kosova. Edhe në Federatën serbe kanë përkrahur idenë, por për “Euro 2027” kanë folur shumë më pak. “Është mundësi e madhe që përmes organizimit të një ngjarjeje kaq të rëndësishme sportive në mënyrë të dinjitetshme, të promovojmë vlerat e vendit dhe të shoqërisë sonë. Megjithatë, të jemi të durueshëm dhe të presim 16 dhjetorin. Më pas do të flasim për këtë temë”, kishte theksuar në shtator Milan Vukoviç, zëdhënës i Federatës serbe të futbollit.

Homologu i tij në FSHF Armand Duka me kohë shprehej se kjo është gjë e mirë dhe në interesin e futbollit në të dy vendet. Të martën mediat serbe kanë shkruar për shtyrjen e vendimit të UEFA-s, por pa dhënë detaje. Presidenti i FSHF-së, Duka, është kritikuar më së shumti për idenë e Evropianit Shqipëri – Serbi. Ai është njëri prej nënkryetarëve të UEFA-s. Duka kishte shprehur shenja pakënaqësie kur shorti vendosi Shqipërinë e Serbinë në një grup në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. UEFA nuk është përgjigjur nëse ky short mund të ketë ndikim në të ardhmen e Evropianit të përbashkët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here