Prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët për hetimet që do të kryejnë kundër zyrtarëve të lartë. Një gjë e tillë është e përcaktuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Sipas këtij ligji, në SPAK do të ngrihet një sektor vetëm për bashkëpunim ndërkombëtar dhe kryerjen e hetimeve të përbashkëta. “Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta në Prokurorinë e Posaçme është përgjegjës për koordinimin e punës së saj me autoritetet e shteteve të tjera. Sektori shërben si ndërlidhës me organet e huaja në shërbim të ecurisë së hetimeve apo hetimeve të përbashkëta. Sektori drejtohet nga një prokuror i posaçëm, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për një periudhë trevjeçare. Punonjësit e këtij sektori duhet të kenë diplomë masteri të nivelit të dytë në drejtësi ose arsim të lartë juridik të njësuar me të sipas ligjit për arsimin e lartë”, thuhet në ligj. Përmes kësaj strukture ndërkombëtarët do të kenë mundësi të marrin pjesë në hetime, por edhe t’i mbikëqyrin ato. Kjo pasi SHBA-BE do të kenë anëtarë në grupet hetimore. “Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta: a) bashkëpunon me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare; b) cakton anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore, të krijuara në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ose në bazë të një marrëveshje për një rast konkret, me qëllim hetimin, ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, në Republikën e Shqipërisë, në një ose më shumë shtete të tjera; c) mbikëqyr hetimet e përbashkëta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e legjislacionit të brendshëm, si dhe respektimin e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë”, vijon më tej ligji.