Pasi ka kryer testin e parë në 24 prill, transporti i parave ka rifilluar normalisht së fundmi në aeroportin e Rinasit, po përmes linjës ajore Austrian Airlines, duke stabilizuar dhe luhatjet e kursit të këmbimit.
Operatorët që merren me transportin pohojnë se masat e sigurisë janë shtuar dukshëm. Një furgon policie rri në pistë gjatë procesit të ngarkimit të dërgesave të bankave. Ndërkohë ka edhe makina ushtrie që patrullojnë jashtë territorit.
Burime nga bankat pohojnë se ata tashmë po i transportojnë normalisht paratë.
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit dhe për këmbime cash valutore. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.
Kompania ajrore Austrian Airlines e ndërpreu shërbimin e transportimit të parave të bankave nga Shqipëria drejt Austrisë në datën 10 prill, një ditë pas vjedhjes në barkun e avionit të një shume prej rreth 6 milionë eurosh, pasi grabitësit arritën të çanin me lehtësi perimetrin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend. Në tre ditët e para, ndalimi i transportit të parave jashtë shkaktoi menjëherë amulli në treg, që u reflektua në kursin e këmbimit , përmes zhvlerësimit të gjithë valutave, teksa bankat nuk po tërheqin valutë nga tregu dhe kjo ka krijuar një tepricë të valutës në treg. Që nga data 9 prill, kur u krye grabitja në Rinas, euro ka rënë me 1.3 lekë, në 123.66 lekë duke zbritur në nivelin më të ulët që nga janari dhe dollari u nënçmua me 0.93 lekë.
Amullia në treg vijoi për pak javë, teksa euro zbriti në nivelin m ëtë ulët të vitit në 123.27 lekë në fillim të majit, ndërsa tashmë luhatjet e kursit janë stabilizuar. Sot, një euro u këmbye me 123.33 lekë, 0.4 lekë më pak se në fundin e javës së kaluar.
Pavarësisht stabilizimit të luhatjeve, euro mbetet e dobët, afër niveleve më të ulëta të vitit. Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për valutë mbetet e dobët dhe oferta e lartë. Ndërkohë dhe doza e shtuar e krizës politike po jep ndikimin e vet në frenimin e konsumit. Nga ana tjetër, edhe interesat e depozitave në euro mbeten afër zeros, duke mos i nxitur individët të mbajnë eurot në banka.
Me afrimin e stinës së verës, aktorët e tregut parashikojnë që euro të mbetet e dobët si rrjedhojë e efekteve sezonale, të prurjeve të shtuara në valutë nga turistët, që tashmë kanë filluar të mbërrijnë dhe më vonë të emigrantëve, që kulmojnë në gusht./Monitor