Qeveria krijon policinë e saj private, ja si do të funksionojë “Illyrian Guard”, zbardhet vendimi i Këshillit të Ministrave

    0
    481

    Ministria e Brendshme tashmë do të ofrojë dhe shërbime policore kundrejt pagesës. Qeveria ka miratuar ditën e djeshme vendimin për të krijuar Shoqërinë “Illyrian Guard”, e cila do të jetë me kapital 100% shtetëror. Kjo shoqëri sipas vendimit të qeverisë do të regjistrohet në QKR dhe do të ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike, publik dhe privat.

    “Krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a., me kapital 100 % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., të jetë 10.000.000 lekë. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., është Ministria e Brendshme. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore”, thuhet në vendim.

    Pra, tashmë sipas asaj që thuhet në vendimin e qeverisë, kush kërkon ruajtje për objektet apo fizike mund ta marrë këtë shërbim edhe nga shteti, kundrejt pagesës. “Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10.000.000 lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here