Pas pamjeve të publikuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” ku mjeku Çaush Zogu shfaqet duke i kërkuar ryshfet qytetarit për lëshimin e fletës së drejtimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka pezulluar nga puna.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bën me dije se nëpërmjet strukturave të Shërbimit Social Shtetëror, ka verifikuar dosjen e qytetarit për të mos e penalizuar atë nga përfitimi i pagesës së aftësisë së kufizuar, që i takon sipas ligjit.
“Dokumentacioni i z. S.S është dorëzuar nga administratorja sociale e Njësisë Administrative Pishaj në datë 12.12.2018 në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Elbasan.
Mjeku i Drejtorisë Rajonale Elbasan në komisionin në KMCAP-Rajonal më datë 13.12.2018 me vendimin nr. 1534 komisioni vendos se z. S.S. është përfitues i statusit para-tetraplegjik.
Në datë 18.02.2019, dosja pasi është kontrolluar për saktësinë e dokumentacionit është pajisur me librezën e mësipërme dhe është në zyrën e protokollit për dërgim me postë.
MSHMS garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë mjek të shpërdorojë detyrën dhe fton qytetarët të denoncojnë të gjitha rastet e korrupsionit.
MSHMS inkurajon organet kompetente të fillojnë sa më shpejt procedimin penal ndaj mjekut për shpërdorim detyre”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë.