Ndër shumë aktivitete që zhvillon Federata Shqiptare e Futbollit është dhe ajo për një kategori të veçantë, njerëzit me aftësi të kufizuara. Natyrisht, kjo është një kategori që meriton vëmendje dhe ndjeshmëria ndaj tyre është e lartë. Kjo gjë kërkon që edhe shpenzimi për ta të jetë i lartë, por në fund të fundit këto aktivitete janë të mirëpritura. Ndërkohë, në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen në turneun ndërkombëtar “Genuine Cup”, që do të zhvillohet në Houston më 26 korrik 2026, ekipi Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuara Intelektuale zhvilloi një ndeshje miqësore në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” përballë stafit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Ky aktivitet u organizua nga Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Shoqatën “Autizmi Flet” dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me synimin për të promovuar vlerat e barazisë, gjithëpërfshirjes dhe respektimit të diversitetit përmes sportit. Përtej aspektit sportiv, ndeshja përcolli një mesazh të fortë social, duke dëshmuar se futbolli është një mjet i fuqishëm për krijimin e mundësive të barabarta dhe përfshirjen aktive të çdo individi në shoqëri.
Nëpërmjet kësaj nisme u vu theksi te rëndësia e mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara, si në sport ashtu edhe në jetën e përditshme, duke nxitur ndërgjegjësimin dhe respektin ndaj dallimeve. Pjesëmarrja e ekipit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara Intelektuale në “Genuine Cup” përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e futbollit gjithëpërfshirës në Shqipëri.
Përmes projekteve dhe aktiviteteve të tilla, FSHF vazhdon të angazhohet për ta bërë futbollin të aksesueshëm për të gjithë, duke promovuar vlerat e solidaritetit, respektit dhe bashkëpunimit.






































