Google search engine
Home Kulture Kulla e Turanit ruan historinë e saj, përfundojnë punimet restauruese

Kulla e Turanit ruan historinë e saj, përfundojnë punimet restauruese

0
19

Punimet restauruese kanë përfunduar në Kullën e Turanit, një monument kulture me vlera historike dhe arkitektonike. Kulla për shkak të dëmtimeve iu nënshtrua më parë një ndërhyrjeje restauruese. Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehet se Kulla e Turanit rikthehet në identitetin e saj historik.

Sipas tij në këtë kullë u realizuan ndërhyrje për konsolidimin e strukturës, restaurimin e elementëve arkitekturorë dhe mbrojtjen e monumentit nga degradimi. “Pak muaj më parë njoftuam nisjen e punimeve restauruese, me angazhimin për të shpëtuar dhe rikthyer në dinjitet një prej monumenteve më të rëndësishme të zonës së Korçës. Sot, falë investimit të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe realizimit të projektit në bashkëpunim me DRTK Korçë, ky angazhim është bërë realitet. Kanë përfunduar punimet restauruese në Kullën e Turanit, ku u realizuan ndërhyrje për konsolidimin e strukturës, restaurimin e elementëve arkitekturorë dhe mbrojtjen e monumentit nga degradimi, duke respektuar autenticitetin dhe teknikat tradicionale të ndërtimit”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në një reagim të tij të ndarë në rrjete sociale.

Sipas kreut të MTKS-së ky restaurim është një tjetër hap konkret në misionin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Kulla e Turanit është një kullë karakteristike, e ndërtuar në skajin lindor të fshatit Turan në qarkun e Korçës. Kjo kullë ka një planimetri katrore me përmasa të vogla dhe një ambient në çdo kat, duke theksuar funksionin e saj të përqendruar kryesisht në mbrojtje. Volumi i mbyllur, strehët e gurta të pazhvilluara dhe mungesa e dritareve flasin për karakteristikat e një objekti të ndërtuar kryesisht për qëllime mbrojtëse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here