Google search engine
Home Politike Zbardhen dy emrat që do të zëvendësojnë Elton Alushin, ja kush janë...

Zbardhen dy emrat që do të zëvendësojnë Elton Alushin, ja kush janë zyrtarët e lartë

0
48

Pas largimit të Elton Alushit nga posti i drejtorit të Policisë Vendore të Tiranës, janë mësuar dy emrat kryesorë që pritet ta zëvendësojnë atë në këtë detyrë të rëndësishme. Ditët e fundit, Alushi ka dhënë dorëheqjen zyrtare dhe menjëherë kanë nisur lëvizjet e para për të mos lënë vakum në drejtimin e bluve të kryeqytetit. Për momentin, në këtë pozicion është komanduar përkohësisht zyrtari i lartë Oliger Torba, i cili gëzon gradën e kryekomisarit. Ai është një kandidat potencial për t’u bërë drejtor me të drejta të plota, por ky vendim pritet të zyrtarizohet vetëm pasi të miratohen ndryshimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit. Oliger Torba ka qenë më herët edhe drejtor i Policisë së Fierit dhe shef komisariati në disa qytete.

Nga ana tjetër, një tjetër kandidaturë e fortë që po diskutohet për të marrë drejtimin e Policisë së Tiranës është Xhevahir Karaj. Z. Karaj vjen nga një përvojë mjaft e pasur në strukturat e sigurisë dhe aktualisht mban postin e dekanit në Akademinë e Policisë. Në jetëshkrimin e tij bie në sy edhe një angazhim i hershëm politik, pasi në vitin 2001 ai ka kandiduar për deputet nën siglën e Partisë Socialiste, ndonëse nuk arriti të fitonte mandatin.

Tashmë, vendimi përfundimtar për të përzgjedhur pasuesin e Elton Alushit i takon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim, kur pritet të merret edhe vendimi zyrtar se cili prej tyre do të udhëheqë uniformat blu të kryeqytetit. Më poshtë po pasqyrojmë detaje se kush është Xhevahir Karaj.

Kush është Xhevahir Karaj?

Xhevahir Karaj ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në strukturat e Policisë së Shtetit, ku ka filluar punë që prej datës 1 gusht të vitit 1988. Gjatë këtij rrugëtimi profesional gati 40-vjeçar, ai ka shërbyer në detyra dhe struktura të ndryshme të rëndësishme, duke nisur nga terreni e deri në nivelet më të larta drejtuese. Ai ka mbajtur pozicione si komandant pike kufitare, instruktor i përgatitjes fizike, shef rendi, shef komisariati dhe drejtor i drejtorisë së policisë vendore.

Më tej, ai ka drejtuar sektorë strategjikë në shkallë vendi, duke mbajtur detyrën e drejtorit të drejtorisë së burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe atë të drejtorit të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit. Pas kësaj përvoje të pasur operacionale, ai u zhvendos në fushën akademike si profesor dhe përgjegjës departamenti në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, ndërsa aktualisht, që nga data 7 mars 2023, është drejtor dhe dekan i këtij fakulteti në Akademinë e Sigurisë. Ky profil i lartë drejtues është ndërtuar mbi një bazë të fortë arsimimi dhe kualifikimesh të vazhdueshme.

Zoti Karaj është diplomuar si specialist në fushën e sigurisë në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila sot mban emrin Akademia e Sigurisë. Gjithashtu, ai ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar në profilin “Specialiteti Gjitharmësh”, me specializim për “Kufirin”. krahas formimit në fushën e sigurisë, në vitin 2011 ai ka diplomuar edhe për Drejtësi në Universitetin “Justicia” në Tiranë. Përvojën e tij profesionale ai e ka pasuruar përmes trajnimeve të shumta të specializuara brenda dhe jashtë vendit. Në vitet 1991-1992 ka kryer kursin e parë të trajnimit të specializuar për policinë.

Në vitin 1999 ka ndjekur një kurs trajnimi për çështjet e kufirit në Vjenë, Austri, ndërsa në vitin 2000 kreu kursin “Trajno trajnierët”. Në vitin 2002 mori pjesë në projektin “DANIDA” të fokusuar në parandalimin e krimit, dhe në vitin 2003 përfundoi kursin e trajnimit për menaxhimin e lartë për drejtuesit e Ministrisë së Rendit Publik. Sot, si dekan, ai udhëheq me sukses institucionin duke ndërthurur trajnimet e tij ndërkombëtare me eksperiencën e vyer që ka marrë gjatë gjithë viteve të shërbimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here