Efraim Diveroli, një prej personazheve kryesorë në aferën me municionet në Gërdec, është rikthyer sërish në vëmendje përmes një interviste të fundit në rrjetet sociale, ku flet hapur për të kaluarën, fitimet marramendëse dhe versionin e tij të historisë. Trafikanti amerikan i armëve, historia e të cilit u kthye më vonë në filmin hollivudian War Dogs, konfirmon se personazhi i interpretuar nga Jonah Hill është bazuar pikërisht tek ai. “A e ke parë ‘War Dogs’? Ai jam unë”, shprehet Diveroli në nisje të intervistës.
Në kulmin e aktivitetit të tij, Diveroli drejtonte kompaninë “AEY Inc.”, e cila arriti të siguronte një kontratë prej 298 milionë dollarësh nga Pentagoni për furnizimin e ushtrisë afgane me municione. Hetimet e mëvonshme zbuluan se një pjesë e këtyre municioneve, me origjinë kineze dhe të ndaluara nga embargo amerikane, ripaketoheshin në Shqipëri përmes skemave të lidhura me fabrikën e demontimit në Gërdec.
Ngjarja tragjike e Shpërthimi i Gërdecit, më 15 mars 2008, mbetet një nga episodet më të rënda në historinë e vendit, me 26 viktima, qindra të plagosur dhe dhjetëra banesa të shkatërruara. Në përgjimet e publikuara pas shpërthimit, Diveroli përmendte emra të nivelit të lartë politik, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij Shkëlzen Berisha, duke pretenduar se ata kishin dijeni dhe ndikim në këtë aferë. Në një prej bisedave me biznesmenin Kosta Trebicka, ai shprehej: “Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij… kjo mafia është shumë e fortë për mua”.
Tërheqja e papritur
Prania e Shkëlzenit në takimin me Diverolin, Delijorgjin dhe Pinarin përmendet edhe nga gazetari amerikan Guy Lauson, në librin “Armët dhe çunat”. Ai bënte këtë përshkrim: “Djali kishte flokë të zinj, lëkurë të lëmuar dhe sy të akullt si të peshkaqenit”. Berisha e paditi gazetarin për shpifje, por Gjykata e Floridas e rrëzoi kërkesën. Gjykata mori për bazë edhe dëshmi dhe raportime mediatike që ishin në një linjë me Lauson. Por, çuditërisht burimi i parë i këtij informacioni, Efraim Diveroli përgënjeshtron veten mbi informacionet për përfshirjen e Shkëlzen Berishës.
Ai thotë në procesin gjyqësor në SHBA se emrin e Shkëlzenit e kishte përdorur për presion ndaj Trebickës që mos të hakmerrej pasi e përjashtuan nga biznesi. Nga ana tjetër, Sali Berisha dhe Shkëlzen Berisha i kanë mohuar vazhdimisht akuzat. Mësohet se prokuroria e Posaçme ka nisur një letër-porosi në SHBA ku ka kërkuar marrjen në pyetje të Efraim Diverolit. Çështja vazhdon të mbetet e hapur, pasi SPAK ende po heton dosjen e trafikut të fishekëve në Gërdec, një dosje që lidhet edhe me çështjen e ish-ministrit Fatmir Mediu, por që prej vitesh nuk ka asnjë informacion.
Fitimet marramendëse
Në intervistën e fundit, Diveroli ndalet veçanërisht te fitimet e jashtëzakonshme në këtë biznes, duke deklaruar se në një moment arrinin deri në 2 milionë dollarë në javë. Ai shprehet gjithashtu kritik ndaj mënyrës se si është portretizuar në film, duke e cilësuar veten jo si “mashtrues”, por si një sipërmarrës që kishte realizuar mbi 150 kontrata me qeverinë amerikane dhe ishte audituar për muaj me radhë. Diveroli pranon se ka kryer katër vite burg në Shtetet e Bashkuara për këtë aferë, ndërsa sot deklaron se drejton një kompani investimesh financiare, duke u përpjekur të rindërtojë profilin e tij në botën e biznesit.
Intervista:
Gazetari: Çfarë bën për të jetuar?
Efraim Diveroli: A e ke parë “War Dogs”?
Gazetari: Po, sigurisht.
Efraim Diveroli: Ai jam unë.
Gazetari: Kush?
Efraim Diveroli: Jonah Hill më luan mua.
Gazetari: Vërtet?
Efraim Diveroli: Po.
Gazetari: Si e ke emrin?
Efraim Diveroli: Efraim Diveroli.
Gazetari: Uau. “War Dogs” është në fakt një nga filmat e mi të preferuar. A të bezdis nëse të bëj disa pyetje për filmin? Për çfarë është e saktë dhe çfarë jo?
Efraim Diveroli: Vazhdo.
Gazetari: Çfarë mendon se kanë bërë saktë? Dhe ku mendon se gabuan?
Efraim Diveroli: Historia u tregua nga këndvështrimi i një personi me të cilin pata një prishje marrëdhëniesh, fatkeqësisht. Prandaj nuk mendoj se ishte një karakterizim i saktë. Sigurisht që gjithçka u ekzagjerua dhe ndodhën shumë gjëra të çmendura. Më portretizuan si një tip mashtrues, si dikush që kishte vetëm një hile. Por në realitet, unë kam bërë 150 kontrata me qeverinë. U auditova për gjashtë muaj para se të merrja atë kontratë.
Gazetari: Meqë ra fjala, a e padite “War Dogs”?
Efraim Diveroli: Po.
Gazetari: Sa para fitove nga kjo?
Efraim Diveroli: Nuk mund ta zbuloj shumën, por ishte një shumë e konsiderueshme.
Gazetari: Në atë kohë, ti ishe trafikanti më i ri i armëve në histori, apo jo?
Efraim Diveroli: Gjoja.
Gazetari: Sa para fitove duke bërë atë punë?
Efraim Diveroli: Në një moment po fitonim 2 milionë dollarë në javë.
Gazetari: Çfarë të frymëzoi në atë biznes? Dhe çfarë pe ti që të tjerët nuk e panë?
Efraim Diveroli: Ishte një mundësi unike. Nuk kishte shumë njerëz në atë lojë në atë kohë, si të thuash.
Gazetari: Sepse kur isha 21 vjeç, gjithçka që më interesonte ishte basketbolli dhe të ndiqja vajzat. Kur ti ishe 21 vjeç, çfarë të shtyu të doje të bëheshe tregtar armësh?
Efraim Diveroli: Edhe unë bëja pak qejf. Xhaxhai im kishte diçka si dyqan armësh. Mua më pëlqenin shumë armët dhe kjo më tërhoqi. U lidha pas asaj bote. Dhe isha i zoti në atë që bëja.
Gazetari: Dhe më pas, fatkeqësisht, përfundove për pak kohë në burg për shkak të kësaj, apo jo?
Efraim Diveroli: Katër vite. Mendoj se gjithë ai miti për “club fed” dhe gjëra të tilla është komplet budallallëk.
Gazetari: Çfarë po bën tani? Dhe cili është hapi tjetër për ty?
Efraim Diveroli: “The Diveroli Investments Group”. Është kompania ime familjare e investimeve. Investojmë shumë në treg, veçanërisht në kompani më të vogla. Marrim edhe role të tipit aktivist në investime.
Gazetari: Dhe pse njerëzit duhet të të besojnë ty me paratë e tyre?
Efraim Diveroli: Askush nuk më ka akuzuar ndonjëherë se i kam humbur qoftë edhe një qindarkë të kuqe dikujt.








































