Ish-sulmuesi i Barcelonës, Maksi Lepez, ka zbuluar detaje interesante nga fillimet e karrierës së Lionel Mesit, duke treguar se edhe një Ronaldinjo në kulmin e formës së tij e pranonte se adoleshenti ishte talent më i madh. Shumë përpara se Mesi të fitonte tetë herë Topin e Artë dhe 47 trofe zyrtarë, potenciali i tij ishte i dukshëm për bashkëlojtarët në “Camp Nou”. Lopez, i cili iu bashkua Barcelonës në vitin 2005, kujton se lojtarët e ekipit të parë mbetën të habitur nga aftësia e 16-vjeçarit për të dominuar kundërshtarë shumë më të mëdhenj në moshë.
Në një intervistë për programin argjentinas “Olga”, Lopez shpjegoi se si Mesi, pavarësisht moshës së re dhe natyrës së turpshme, spikaste për shpejtësinë dhe forcën fizike, duke bindur të gjithë se po lindte një fenomen i futbollit. Ai zbuloi edhe një moment domethënës nga Ronaldinjo. “E shihja që ky djalë ishte 16 vjeç dhe mund të përballej me lojtarë 30-vjeçarë. Kishte forcë dhe shpejtësi të jashtëzakonshme… Ne më të vjetrit flisnim se ai do të ishte ndryshe. Ronnie më thoshte: ‘Ky është më i mirë se unë.’ Dhe kjo nga Ronaldinjo në kulmin e tij – në vitin kur fitoi Topin e Artë!
Ata që janë të veçantë, e kuptojnë menjëherë”, tha ai. Edhe pse Ronaldinjo dhe Lionel Mesi luajtën së bashku rreth 80 ndeshje për Barcelonën, duke kombinuar për tetë gola, vetë Lopez pati vetëm dy paraqitje me Mesin në sezonin 2005-06. Përtej talentit në fushë, Lopez kujton edhe anën njerëzore të Mesit në ato vite: një djalë i ri, i turpshëm, por njëkohësisht shumë i këndshëm dhe i shoqërueshëm në grup. Ai shtoi se sot Mesi është një lider i vërtetë, ndërsa atëherë ishte thjesht një adoleshent që po hidhte hapat e parë drejt madhështisë.
Ndërkohë, Pedri ka hyrë në historinë e Barcelonës duke thyer një rekord të vjetër që mbahej nga legjenda Lionel Mesi. Mesfushori arriti një moment të rëndësishëm në karrierë gjatë fitores ndaj Osasunës, duke forcuar statusin e tij si një nga shtyllat kryesore të skuadrës së drejtuar nga Hansi Flik. Në fitoren 2-1 në “El Sadar”, Pedri regjistroi startin e tij të 200-të me Barcelonën, duke e arritur këtë në moshën 23 vjeç e 159 ditë. Kështu, ai u bë lojtari më i ri në historinë e klubit që arrin këtë shifër, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Mesit (23 vjeç e 227 ditë), si dhe atë të Ksavi Hernandez. Konsistenca e tij është veçanërisht mbresëlënëse, duke qenë se ai mbetet boshti i padiskutueshëm i mesfushës, ku përfshihet edhe talenti i ri Gavi.








































