“Vrasje në vjeshtë” bazuar mbi motivet “Njeriu i netëve të vjeshtës” rikthim në skenën teatrore

0
26

Shfaqja teatrore “Vrasje në vjeshtë” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shfaqja “Vrasje në vjeshtë” është mbi motivet e romanit “Njeriu i netëve të vjeshtës” të autorit Gjergj Vlashit. Regjia dhe dramatizimi Stefan Çapaliku. Në shfaqjen që do të jetë në skenë në datat 17, 18, 19 dhe 20 këtë muaj interpretojnë Mehmet Xhelil, Rafael Hoxhaj, Xhoana Karaj. Ngjarja e përshkruar në roman bazohet në fakte reale, të cilat kanë të bëjnë më së pari me momentin kur ushtritë aleate mbas kapitullimit të Italisë fashiste po ndërmerrnin sulme të befasishme veçanërisht mbi prapavijat e ushtrisë gjermane, duke pasur si objektiv kryesor depozitat e karburantit që do paralizonin lëvizjet e kësaj të fundit. Në këtë kontekst, shërbimi inteligjent i ushtrisë gjermane ka grumbulluar të dhëna se aleatët mund të bombardonin portin e Durrësit me çisternat e veta të karburantit dhe me këtë rast do shkatërrohej i gjithë qyteti që gjendej pranë.

Në këto kusht ushtria merr përsipër evakuimin e gjithë qytetarëve dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që presupozonte eliminimin e çdo personi që nuk do i bindej këtij urdhri. Personi i vetëm që nuk do i bindet këtij urdhri në romanin e Gjergj Vlashit është Marian Shkoza, një punonjës i thjeshtë i një agjencie detare, beqar. Ai rri i fshehur fillimisht në shtëpinë e tij dhe më pas edhe në shtëpitë e të tjerëve, të cilat i viziton fshehtazi fillimisht për të realizuar disa nevoja të mbijetesës dhe më pas si dorëzim ndaj një manie për të jetuar jetët e të tjerëve në ato dimensione që nuk ka arritur kurrë t’i përjetojë vetë. Humbja e vetes dhe përmbushja me karaktere të tjera njerëzore e kthejnë atë në një njeri pa identitet dhe me një tjetër sistem vlerash dhe vlerësimesh deri në ditën e “vetdorëzimit” të tij te një patrullë gjermane që edhe e eliminon fizikisht. Si regjisor Stefan Çapliku ka sjell dhe të tjera vepra teatrore në skenë më parë, por këtë herë vjen me shfaqjen “Vrasje në vjeshtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here