SPAK nis zyrtarisht hetim pasuror për Flamur Nokën, zbardhet dosja

0
31

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetim pasuror për besnikun  Sali Berishës, deputetin Flamur Noka dhe familjen e tij. Në objektin e hetimit përfshihen hetimi dhe verifikimi i gjithë transaksioneve financiare në emër të tij, gruas dhe dy fëmijëve. Hetimi shtrihet në gjithë sistemin bankar të Shqipërisë dhe në gjithë zyrat noteriale të vendit, për të parë dhe verifikuar shitjet, blerje pronash apo akt marrëveshje të tjera të tij apo familjarëve me të tretë. Gazeta “TemA” mësoi se hetimi është pjesë e një procedimi penal regjistruar në SPAK, i cili ka të nevojshëm të plotësohet edhe me verifikimin e pasurisë së Flamur Nokës. Në listën e hetimit është Flamur Noka, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij.

Denoncimi në SPAK

Kujtojmë se disa javë më parë avokati Idajet Beqiri ka dorëzuar në SPAK një dosje me emrin e Flamur Nokës. Në kallëzimin penal përmendet pasuria e dyshimtë dhe mes te tjerash kontrata koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike kur Noka ishte ministër i Brendshëm. Avokati në kallëzim gjithashtu kërkoi hetimin e pasurive të dyshimta të Nokës. “Në vitet 2012-2013, që përkon me negociatat dhe finalizimin me nënshkrim prej ish ministrit të Brendshëm Flamur Noka të shtyrjes së kontratës konçensionare edhe me 10 vjet të tjera, në kundërshtim me ligjin dhe me interesat e shtetit shqiptar për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, Flamur Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme me vlerë të mëdha në euro, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tij nga paga si ish ministër dhe si deputet. I kallëzuari Flamur Noka ka blerë një apartament, në zonën më të shtrenjtë të Tiranë, te Diga e Liqenit, Pallati me ngjyrë të kuqe, ne katin e dytë të tij, 190 m2 sipërfaqe ndërtimi si dhe një garazh 70 m2, me vlerën 173.400 euro. Po gjatë kësaj kohe ka blerë dy makina, njëra 40 mijë euro dhe makina tjetër 6 milionë lekë. Në fakt vlera e pasurisë prej 190 m2 që Flamur Noka ka blerë dhe ka në pronësi te Diga e Liqenit të cilën e ka deklaruar në shumën prej 173 mijë euro, e ka vlerën reale të saj 1 (një) milionë euro. Sikurse theksuam, të ardhurat e Flamur Nokës janë paga e tij prej 6 vjetësh si roje në Selinë e PD-së dhe më pas si ministër i Brendshëm, si dhe paga e bashkëshortes së tij në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pranë Universitetit të Tiranës. Në datën 1 nëntor 2009, Flamur Noka ka përfituar një kredi me zero interes si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, pjesë e bordit të të cilit ka qenë edhe ai vetë. Kredinë prej 50 mijë euro e ka marrë me afat 25 vjet, me këst mujor 16 500 lekë, duke shpërdoruar kështu detyrën. Me këto para Flamur Noka ka blerë një apartament me sipërfaqe 83.7 m2, në katin e 8 të një pallati brenda ish Bllokut në Tiranë. Në kohën që u bë ministër i Brendshëm Flamur Noka e ka shitur këtë apartament nga 50 mijë euro që e bleu me kredinë si i pastrehë, në 180 mijë euro”, thuhet në kallëzimin penal.

Vila 760 mijë euro

“Duke shpërdoruar detyrën në Entin Kombëtar të Banesave, Flamur Noka i ka dhënë vëllait, motrës dhe kunatës së tij 4 apartamente në Sarandë, të cilat në fakt janë pasuri të Flamur Nokës. Flamur Noka, duke shpërdoruar detyrën e ministrit të Brendshëm dhe të deputetit, disponon një vilë prej 760 mijë euro në Kompleksin “LURA 1”, pranë Vilës luksoze të Sali Berishës. Ai banon në këtë vilë ku ka shtëpinë verore edhe Sali Berisha. Kjo vilë është ndërtuar pikërisht në kohën kur Flamur Noka ishte ministër i Brendshëm dhe bëri krimin e zgjatjet së kontratës së prodhimit të pasaportave dhe të kartave të identitetit edhe me 10 vjet të tjera. Kjo vilë është ndërtuar pasi fshati turistik kishte përfunduar së ndërtuari, për rrjedhojë është bërë ngushtimi i një pjesë të rrugës-unazë, e cila rrethon fshatin rezidencial, vilë e cila gjendet në hyrje të “LURA 1”, në reshtin e parë anës rrugës. Zyrtarisht kjo vilë në të cilën jeton Flamur Noka, në Gjirin e Lalzit, dhe që është pronari “de fakto” i saj, në Kadastër figuron në emër të biznesmenit P. M. njëkohësisht kryesor i televizionit të Shkëlzen Berishës “Syri Tv”. Flamur Noka është hedhur në veprim për ta shitur këtë vilë me qëllim të fshehë gjurmët e krimit të pastrimit të produkteve që rrjedhin nga një krim,’’ thuhet në kallëzimin penal.

Vjedhja që e nxori zbuluar

“Në vitin 2014 një grup hajdutësh i përbërë prej Arnold Karaj dhe Donald Vatnikaj, banues në Kodër Kamëz, kanë vjedhur me thyerje vilën e Flamur Nokës, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme eurosh, por që Flamur Noka nuk i ka denoncuar. Këta dy persona janë arrestuar, janë hetuar dhe gjykuar për këtë vjedhje, si dhe për vjedhjen e dy vilave të tjera të A. Ristanit dhe S.Kodrës. Në dosjet gjyqësore penale të këtyre dy personave të dënuar për vjedhjen e vilës së Flamur Nokës ka prova indirekte që vërtetojnë faktin se Vila 760 mijë euro në Gjirin e Lalëzit është e Flamur Nokës, rrjedhojë e pastrimit të parave prej tij. Flamur Noka ka kryer edhe një krim tjetër të rëndë, duke shpërdoruar detyrën si dhe duke manipuluar zgjedhjet elektorale. Ai i ka dhënë një bashkëfshatarit të tij Azem Tahiri një shumë të konsiderueshme euro si dhe kodet e prodhimit të kartave të identitetit, me qëllim që ky person, së bashku me shtetasin Eduard Zeneli nga Fieri, të prodhonin me shumicë karta identiteti në Greqi, ku edhe punonin dhe jetonin. Këto karta identiteti Flamur Noka i ka shpërndarë te njerëzit e besuar të tij, të cilët kanë votuar 5 herë me karta të ndryshme identiteti. Këta dy persona, Azem Tahiri dhe Eduard Zeneli janë arrestuar në Greqi për prodhimin e kartave shqiptare të identitetit, u janë sekuestruar pajisjet dhe kodet e prodhimit të këtyre kartave dhe janë dënuar penalisht, duke e vuajtur dënimin në Burgun e Koridhalos në Greqi”, thuhet në kallëzimin penal. Në fund avokati kërkoi që të merren në pyetje të gjithë personat që përmenden më sipër dhe të hetohet burimi i pasurive të Flamur Nokës. Nuk dihet nëse është ky kallëzimi penal që ka bërë që SPAK të hapë hetime për Flamur Nokën, por fakti është se në Prokurorinë e Posaçme ka dosje për ish-ministrin e Brendshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here