Plas sherri në çetën e “Foltores”, ambicia e Argita Malltezit për t’u katapultuar në krye të partisë fut “zjarrin” brenda Rithemelimit

0
36

Ambicia e Argita Malltezi për t’u katapultuar në krye të partisë, duket se ka futur “zjarrin” brenda Rithemelimit, teksa krahu i djathtë i Sali Berishës, Belind Këlliçi ka dalë hapur kundër vajzës së ish-kryeministrit. Konkretisht ish-kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht një nga emrat e lakuar si kandidat potencial për të marrë drejtimin e Rithemelimit, Belind Këlliçi ka komentuar deklaratën e bërë nga vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezit, e cila u shpreh se është e gatshme për çdo pozicion në Partinë Demokratike. Teksa ishte i ftuar në një media, Belind Këlliçi, u shpreh dje se si çdo anëtarë i PD-së edhe Argita Malltezi ka të drejtën për të garuar për çdo pozicion, por theksoi se Partia Demokratike nuk e ka luksin për trashëgim të pushtetit, duke dalë kështu hapur kundër kandidaturës së saj. “Ka folur me fjalët e saj dhe me gojën e saj që nuk e ka këtë projekt, por si çdo anëtar i Partisë Demokratike, do të ishte e hapur të garonte në çdo moment përballë çdokujt me platformën e saj për çdo pozicion. Krejt korrekte, krejt normale, asnjë surprizë në deklaratën e saj. Përkundrazi, ka thënë se është kundër trashëgimisë dhe askujt nuk i takon të trashëgojë pozicionin e dikujt tjetër, jo në PD, por në asnjë forcë tjetër E bëmë njëherë një gabim, me dikë që u vendos aty në formën e një trashëgimtari dhe ju fal drejtimin e Partisë Demokratike. Nuk e ka më luksin Partia Demokratike të trashëgojë askush pozicionin e drejtuesit të mëparshëm. Secili do të duhet ta fitojë me garë bazuar në platformë dhe Argita nuk përbën përjashtim nga të tjerët”, deklaroi Këlliçi. Ndërkohë kujtojmë se dy ditë më parë edhe deputeti, deputeti demokrat, Dash Sula, u shpreh kundër që Partia Demokratike të drejtohet nga Argita Malltezi. Ai tha se kjo do shënonte një rënie të kauzës opozitare. Sula është i mendimit që Sali Berisha do duhet të tërhiqet për të mirën e opozitës e nëse nuk e bën këtë, thotë se faji do të ishte vetëm i tiji, duke ia dorëzuar fitoren Edi Ramës.

Reagon Shehu

Por duke se nuk ndan të njëjtin qëndrim me Belind Këlliçin, deputeti i Rithemelimit, Tritan Shehu, i cili njihet si besnik i Sali Berishës. Ky i fundit është ndalur dje tek debatet lidhur me kreun e ardhshëm të Rithemelimit, ku teksa fliste në një media për Argita Malltezin si pasuese e Berishës, e shikon si gjë normale, pasi vajza e ish-kryeministrit sipas tij, është anëtare kontributore e PD-së që në themelimin e saj. “Më duket diskutim shterp. Sepse zoti Berisha është kryetari i PD-së. E drejton ai. Se kush do jetë kryetari i ardhshëm do presim. Gita është aktiviste e hershme e PD-së. Ka të gjithë të drejtat si çdo anëtar. Është temë që hapet artificialisht. Është zoti Berisha kryetar. Shpresoj se ky izolim të zgjidhet sa më shpejt dhe zoti Berisha do e drejtoj dhe nga terreni. Po pse të mos jetë? Është aktiviste e vjetër e PD-së. Pse kërkon të diskriminosh dikë? Ku janë konfliktet e interesit? Çdo anëtari i PD-së ia përcakton statuti të drejtat. Është diskutim për të krijuar vetëm mjegullnajë. Shpresoj që izolimi të përfundoj. Kur të vijë koha për të zgjedhur kryetarin e PD-së do vendoset sipas statutit”, deklaroi Shehu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here