KLP, kush do të zëvendësojë Alfred Ballën pas “bombës” së KPA

0
30

Në Shqipëri, kryetari Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Alfred Balla nuk do të mund të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme, e për pasojë “nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm”. Vendimi u mor të martën nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), struktura më e lartë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi deri në vitin 2017, kur kishin hyrë në fuqi ligjet e reja të Reformës në Drejtësi, ai kishte punuar si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë. Po kush do të jetë emri që do të zëvendësojë Ballën? Teksa Kuvendi ka rinisur procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe shoqërisë civile për plotësimin e  vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe  endeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, gazeta ka mësuar se emri pretendent që pritet të zëvendësojë Ballën është Arta Mandro. Thuhet se ajo ka mazhorancën e votave në KLP pasi në kohën kur u zgjodh Altin Dumani në krye të Prokurorisë së Posaçme, vota e Arta Mandros ishte vendimtarja. Ishte Mandro që zgjodhi njeriun e amerikanëve në krye të SPAK, ndryshe nga Alfred Balla, i cili votoi Edvin Kondilin, preferencën e mazhorancës. Gazeta e raportoi se në atë kohë pati një përplasje të fortë mes Ramës dhe amerikanëve, por që në fund  SHBA i tregoi vendin duke vendosur njeriun e tyre. Në rastin e KLP, këtë herë preferenca amerikane është Mandro për të zëvendësuar Ballën, ndërsa socialistët duan që të katapultojnë Erind Mërkurin.

Akuzat Alibeajt

Dy ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, në komisionin e Ligjeve, teksa po diskutonte për ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së akuzoi mazhorancën se po tenton që të emërojë në drejtësi njerëzit e saj me qëllim për të kapur SPAK. “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka skualifikuar 6 kandidatë. Në pamje të parë ka një gjë ose Avokati i Popullit ka dështuar për të vlerësuar kriteret e kushtet dokumentacionit, ose sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, një vartës i mazhorancës, në një kohë shumë të shkurtër ka vepruar politikisht. Nga analiza sesi parlamenti i është qasur sistemit gjyqësor kjo është një lëvizje politikisht e orientuar atë që ka ekzekutuar Sekretari i Përgjithshëm.  Kjo tregon se cila është qasja juaj me sistemin e pavarur. Vazhdon e njëjta histori për të kapur organet e drejtësisë. Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm spastrohen ato që nuk janë në oborrin e mazhorancës dhe lihen ata që nuk janë në oborrin e mazhorancës. Janë shkualifikuar 4 nga kandidatët që Avokati i Popullit i ka renditur me pikë më lart. Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK”, tha Alibeaj. Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve votoi ngritjen e nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së, me anëtarët socialistë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi, ndërsa nga radhët e opozitës Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi. Megjithatë nënkomisioni i ngritur ka të drejtë që me 4 vota të rikthejë në garë kandidatët e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Kur mungon konsensusi, emrat nga lista zgjidhen me short dhe nëse Kuvendi dështon në 3 votime radhazi që të zgjedhë me 84 vota anëtarët e rinj të KLGJ-së e KLP-së, quhen automatikisht të emëruar ata që shorti i ka zgjedhur për raundin e tretë.

Lista e Kuvendit

Kuvendi ka publikuar listën përfundimtare të kandidatëve nga radhët e avokatisë, për plotësimin e 2 vendeve vakante në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe 2 vendeve vakante në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Lista përfundimtare u publikua të hënën 20 maj dhe janë skualifikuar nga gara 6 kandidatë duke ndryshuar dhe listën renditëse të pikëzimit të bërë nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Avokati i Popullit. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit Genci Gjonçaj ka skualifikuar nga gara kandidatët Përparim Kalo, Alban Alimema, Fatos Lazimi, Entela Shehaj (Memishaj), Saimir Vishaj dhe Alban Tushe. Në listën përfundimtare që i paraqitet Komisionit të Ligjeve, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola. Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola. Dispozitat ligjore parashikojnë që 4 kandidatët për 2 vende vakante në KLGj dhe 2 në KLP i nënshtrohen votimit në seancë plenare pasi zgjidhen nga kjo listë me konsensus politik (4 vota pro) nga 5 anëtarët e nënkomisionin të ligjeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here