Ankesa e FSHF nuk “pi ujë”, Andrea Ndoj do të luajë për Greqinë

0
74

Nuk është e para herë që lojtarë cilësorë shqiptarë që kanë dalë nga kampionatet e vendeve të tjera zgjedhin fillimisht Shqipërinë e më pas largohen pasi nuk e gjejnë veten. Një pjesë largohen pasi nuk marrin minutazh dhe e shohin veten të tepërt, e një pjesë ikin pasi u bëhet ofertë nga federatat e vendeve të tjera, sikurse ka ndodhur shpesh me futbollistët shqiptarë që luajnë për Greqinë dhe Zvicrën, apo dhe me Gjermaninë e ndonjë vend tjetër. Rastet më së shumti janë regjistruar me federatën zvicerane, por edhe atë belge që mori vite më parë Adnan Januzajn, me dëshirën e këtij të fundit. Por së fundmi regjistrohet një tjetër rast flagrant, pasi këtë herë kemi të bëjmë me një gjyq në FIFA, midis Federatës Shqiptare të Futbollit dhe futbollistit me origjinë shqiptare Andrea Ndoj. Ky i fundit ka zgjedhur të luajë për Greqinë, diçka që nuk është pritur mirë nga federata jonë, e cila, duke parë situatën ku lojtari kishte qenë më parë pjesë e grupmoshave kuqezi, dëshironte që të mos e ndërmerrte hapin e largimit. Por lojtari ka fituar çështjen dhe do të përfaqësojë kombëtaren helene. Në këto rrethana, kjo është hera e parë që FSHF humb një çështje në FIFA me një futbollist shqiptar që dëshiron të largohet nga ngjyrat kuqezi.

Situata me Ndojin

Lojtari ka dalë nga klubet greke dhe ka bërë karrierë me këto klube, por fillimisht kishte zgjedhur të luante për Shqipërinë. Krejt papritur ndryshoi mendje dhe përplasi federatat respektive në FIFA. Andreas Ndoj ka marrë dritën jeshile nga FIFA për t’u pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që të jetë pjesë e kombëtares greke. Futbollisti i Olimpiakos ka marrë vëmendjen e mediave greke, duke u konsideruar si një prej afrimeve më të rëndësishme në përfaqësuesen e tyre. 20-vjeçari, vlera e të cilit llogaritet mbi 2 milionë euro, ka luajtur këtë edicion në 21 ndeshje me Olimpiakos në kampionat, duke spikatur teksa ka shënuar edhe një gol ndërsa konsiderohet si një potencial për përfaqësuesen helene. Në mediat greke trumpetohet fakti se lojtari tani do të presë vetëm ftesën e trajnerit të Greqisë. Ndoj është aktivizuar më skuadrën e 15-vjeçarëve të Shqipërisë, më pas është bashkuar me 17 dhe 19-vjeçarët e Greqisë, për t’u rikthyer tek Shqipëria për ekipet e 20 dhe 21-vjeçarëve. Greqia duket se po nxiton për të marrë shërbimet e Ndojit, i cili është futur në listën e shumë lojtarëve që janë vënë para zgjedhjes së Shqipërisë dhe Greqisë. Mbetet për t’u parë nëse për ndeshjet kualifikuese të muajit qershor, Ndoj do të ftohet nga kombëtarja e Greqisë, çka do ta bënte zyrtarisht një lojtar të helenëve. Ndoj aktualisht është lojtari më i përfolur i momentit, sa i takon opsioneve për Kombëtaren e Greqisë, ndërkohë që Shqipëria duket se po humbet një element që mund t’i shërbente për të ardhmen. Ndoj është formuar si futbollist në akademinë e Olimpiakos dhe këtë edicion arriti që të fitonte besimin e trajnerit të skuadrës së parë e tani ka ardhur momenti që të vendosë se cilat ngjyra do të përfaqësojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here