Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e arsyetuar, ku ju dha të drejtë gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit për rikthimin e pasaportave diplomatike dhe ato të shërbimit, pasi qeveria ua kishte hequr që nga janari 2020. Në arsyetimin e Gjykatës së Lartë nënvizohet se Këshilli i Ministrave, të cilit i është deleguar nga ligjvënësi pushteti për të nxjerrë aktin nënligjor normativ për të pajisur me pasaporta diplomatike dhe shërbimi disa funksionarë publikë, ka ometuar në rregullimin e kësaj situate për gjyqtarët, duke cenuar haptazi dhe pa asnjë arsye të përligjur një të drejtë të fituar më parë prej tyre. Sipas Gjykatës së Lartë rezulton se gjyqtarët e kanë përfituar të drejtën me ligj për t’u pajisur me pasaporta shërbimi, ndërsa thekson se pretendimet e Këshillit të Ministrave nuk kanë natyrë të drejtpërdrejtë kushtetuese. Gjykata e Lartë thotë se Qeveria hoqi të drejtën e përfitimit financiar të përballimit të pagesës për pajisjen me pasaportë shërbimi nga buxheti i institucionit, ku gjyqtari ushtron detyrën. Pas dy viteve betejë gjyqësore, shoqata e gjyqtarëve fitoi me vendim të Gjykatës së Lartë të drejtën për tu pajisur me pasaporta diplomatike dhe shërbimi. Qeveria u hoqi atyre në janar 2020 këtë privilegj, ndërsa padia u bë në gjykatë nga shoqata e gjyqtarëve përfaqësuar nga gjyqtari Erion Bani. Bani njëherazi gjyqtar në Gjykatën e Posaçme e dërgoi ankimin rekurs në Gjykatën e Lartë e cila u dha atyre të drejtë. Me këtë vendim pasaportat u rikthehen gjyqtarëve të Shkallëve të para dhe apelit në të gjithë vendin. Gjyqtarët kërkuan konstatimin e cenimit të statusit të gjyqtarit nëpërmjet heqjes së pasaportës së shërbimit me Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 12 qershor 2019, që hyri në fuqi pas 6 muajsh. Heqja e pasaportave diplomatike për 350 persona, mes tyre ish-deputetë që u ka mbaruar mandati ose gjyqtarë që nuk kanë kaluar procesin e vetingut, shoqëruesve të zyrtarëve ka qenë një vendim i marrë nga ministri i sapoemëruar atëherë në Punët e Jashtme, Gent Cakaj, vendim që kaloi në Këshillin e Ministrave disa muaj më vonë.






































