Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar faktet e tjera që kanë ndalë në media sa i takon aferës së inceratorëve, ndërsa ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të çiftit presidenciale Meta-Kryemadhi. Përmes një analize të hollë në rrjetet sociale, zoti Çupi ngre dyshime se dosjen dhe të dhënat e aferës së inceneratorëve që i ka denoncuar ditët e fundit kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, sipas tij, mund të kenë dalë edhe nga zyrat e shtetit. “Kush e ka shtetin në dorë? E ka shteti në dorë shtetin, apo shtetin e kanë copa- copa secili për vete? E gjithë fija e shtetit të manipuluar, tërhiqet duke ndjekur pyetjen: ‘Kush ia solli informatat Monikës?’.Monika kur lavdëron aktivistët e LSI se ‘i kemi skifterë, shiko çfarë zbulojnë’, në fakt nxjerr zbuluar faktin se hetimet i ka kryer dikush tjetër. Hetimet kanë ardhur në dorën e Monikës, dmth., Ilirit, nga Shërbimi Inteligjent Shtetëror, që quhet SHISH. Këtu shtetit i rrëzohet një pjesë e tij, pjesa që quhet Kolona Inteligjente. Inteligjencia e Shtetit punon për dikë tjetër dhe kundër shtetit kombëtar. Ai ‘dikush’ për të cilin punon SHISH quhen Ilir Meta dhe Monika: Me ‘bombat’ e SHISH këta do të rrëzojnë rendin shoqëror dhe do të marrin pushtetin me dhunë. Gjatë gjithë periudhës kur presidenti Ilir Meta ka qenë i ndryrë në zyrën e Presidencës, SHISH ka punuar si milingona nën dhè që të mbledhë ushqim ‘luftarak’ për ditën kur Meta del nga salla e presidencës. Dita erdhi, kjo është 24 korrik, pas vetëm 19 ditësh. Meta ka deklaruar se në datën 24 korrik ‘do të më shikoni!’, dmth., do të sulet mbi parlamentin dhe qeverinë dhe do të ndryshojë sistemin, sipas fjalëve të tij. Armët për të rrëzuar shtetin kanë dalë dhe janë depozituar nga vetë përbrenda shtetit, nga kolona e Inteligjencies. E shikoni? Meta është i garantuar se ‘fiton kundër të gjithëve’, edhe kundër Amerikës. Ne nuk dimë akoma cilët instrumente të tjerë të shtetit kanë në dorë të tretët”, shkruan Çupi.










































