Violinisti virtuoz me origjinë shqiptare, Elvin Hoxha Ganiyev do të jetë këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në këtë koncert do të luhen vepra të Moxart, ku sipas ministres së Kulturës Elva Margariti violinisti do të sjellë një performancë të jashtëzakonshme. “Shënojeni këtë datë: 7 korrik, ora 20:00! Violinisti virtuoz me origjinë shqiptare, Elvin Hoxha Ganiyev, shoqëruar nga Orkestra Simfonike Shtetërore e Stambollit, nën drejtimin e maestro Hasan Niyazi Tura do të sjellë për publikun shqiptar një performancë të jashtëzakonshme. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor mikpret dy nga veprat madhore të Volfgang Amadeus Moxart!”, shprehet ministrja e Kulturës në një status të saj në Facebook, për këtë koncert që do të jetë këtë mbrëmje për publikun. Koncerti zhvillohet edhe në kuadër të Javës së Kulturës Turke, që po vijon në vijim të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës. Për brezin e ri të instrumentistëve Elvin Hoxha Ganiyev është padyshim violinisti më virtuoz i skenave evropiane dhe botërore. Në vijim të aktiviteteve më parë, në kuadër të Javës Kulturore Turke në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit erdhi dhe “Güldestan” (Rosegarden), një nga produksionet më të njohura të Operas dhe Baletit Shtetëror Turk. Një prodhim modern kërcim-dramë, që prezantoi kulturën bashkëkohore dhe mistike turke. Java e Kulturës Turke nisi më datë 29 qershor dhe do të vijojë edhe sot. Java organizohet nën kujdesin e ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit dhe Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës. Javët Ndërkombëtare të Kulturës nisën më parë në vendin tonë me moton “Shqipëria mikpret botën”, nismë e qeverisë ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Europian.
Home Aktualitet Violinisti Elvin Hoxha Ganiyev, shoqëruar nga Orkestra e Stambollit një koncert në...









































