Restaurimi e rikonceptualizimi i Muzeut Historik Kombëtar si dhe digjitalizimi i arkivës së AQSHF dhe IKTK, në mbledhjen e komitetit drejtues të “EU4Culture”

0
18

Restaurimi dhe rikonceptualizimi i Muzeut Historik Kombëtar dhe financimi në pajisje për digjitalizimin e arkivës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore u diskutuan në mbledhjen, që zhvillua pak ditë më parë të Komitetit Drejtues për programin “EU4Culture”. Mbledhja e 4-të e Komitetit Drejtues të programit “EU4Culture” mblodhi së bashku përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UNOPS për të diskutuar një sërë çështjesh, për të përcaktuar prioritetet e nevojshme në zbatimin e projektit. E pranishme në këtë mbledhje ishte dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja e Kulturës thotë se u morën vendime më rëndësi. “Programi “EU4Culture” po kalon në një fazë tjetër veprimi. Zhvilluam mbledhjen e radhës së Komitetit Drejtues për programin “EU4Culture”, ku morëm vendime të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore, ndër të cilat edhe zhvillimin e projektit për restaurimin dhe rikonceptualizimin e Muzeut Historik Kombëtar apo financimin në pajisje për digjitalizimin e arkivës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore”, shprehet ministrja e Kulturës, që për këtë mbledhje ka shkruar në Facebook.  Në këtë mbledhje që u zhvillua ditët e fundit, ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije se u diskua dhe u analizua edhe puna që është bërë deri tani me monumentet e kulturës në vendin tonë. Sipas ministres Margariti, u shprehën angazhime për të ecur më shpejt me kantieret e monumenteve të kulturës. “Bashkë me drejtuesin e Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, drejtuesen e zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe drejtuesen e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama analizuam punën e deritanishme dhe shprehëm angazhimin për të ecur më shpejt me kantieret e ringritjes dhe rijetësimit të monumenteve të kulturës, të prekura nga tërmeti i vitit 2019”, thotë Margariti.

Programi “EU4Culture”

 Programi “EU4Culture” gjithashtu për këtë mbledhje shprehet se Komiteti Drejtues renditi sukseset e projektit, duke përfshirë progresin e restaurimit të një sërë sitesh, krijimin e eksperiencave digjitale, si dhe hapat përmbyllës të vlerësimit propozimeve të thirrjes së parë të skemës së granteve. “Në fjalën e tyre përmbyllëse, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtuesi i Bashkëpunimit nga Delegacioni i BE-së, Hubert Perr, Drejtuesja e Zyrës së UNOPS në Vjenë, Freya von Groote dhe drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, Pamela Lama, vlerësuan bashkëpunimin e frytshëm të të gjitha palëve të interesuara në kuadër të programit “EU4Culture””, shprehet programi në faqen e tij. Projekti “BE për Kulturën” është një nga projektet më të mëdha të trashëgimisë kulturore, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE), me një buxhet të përgjithshëm prej 40 milionë euro dhe zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës. Ky projekt shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, 2019. Krahas restaurimit, projekti do të investojë në rigjallërimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe të kushteve të sitit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj