Premiera “Fli” në Metropol, një homazh për pasojat dhe viktimat e luftës, një tribut për sakrificën në përballjen me “betejat” e mëdha e të vogla

0
25

Premiera teatrore “Fli” erdhi për publikun në vijim të sezonit artistik në teatrin Metropol. Shfaqja e bazuar në veprën “Ifigjenia në Aulidë” nga Euripidi është me regji nga Enton Kaca. Vepra rikthehet në Metropol për shfaqjet e fundit, dhe u shfaq mbrëmë për publikun për të vijuar dhe në datat 13, 14 dhe 15 maj. Teatri shprehet se “Fli” është rezultati final i një procesi, i një rituali, që mundohet të realizojë një konsakrim të sakrificës njerëzore dhe ti japë “flijimit” një dimension poetiko-politik që do mund të na çlirojë prej konflikteve, prej mundimeve nga jeta jonë e përditshme. ““Fli është gjithashtu një homazh për pasojat dhe viktimat e luftës, është një lutje, është gjithashtu një tribut për sakrificën tonë të përditshme në përballjen me “betejat” e mëdha e të vogla që kemi”, thuhet mes të tjerave nga teatri Metropol, për këtë vepër teatrore që vjen në skenë për publikun. Në vepër interpretojnë në role aktorët Amri Hasanlliu, Bujar Hoxhaj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Ismail Shino, Klodjana Keco, Lindar Kaja, Margent Caushi, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Xhino Musollari, etj. Kori Ketjona Pecnikaj, Parashqevi Hallkaj, as. regjisor Edvin Mustafa dhe kostumet Sofi Kara.

Një konceptim modern

“Fli” është një konceptim modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të  Euripidit. Vepra është me shfaqjet e fundit sipas teatrit këtë javë për publikun, por regjisori Enton Kaca më herët ka shprehur se drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve, që gjeneron komandanti i ushtrisë greke në lidhje me një çështje me të cilën ai duhet të negociojë. “Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar apo do ta braktisë atë? Sakrifica, që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni i krijuar i pritjes, i mos ecjes përpara, mos vënia në plan të qëllimit kryesor pse janë mbledhur të gjithë në Aulidë”, tregon Kaca. Kjo vepër është një nga më të njohurat e Euripidit që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetmohim në skenat kryesore të tragjedisë. A është lufta mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A “sakrifikohet” familja për karrierën personale?!A vlen më shumë krenaria dhe lavdia se arsyeja?! Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes “Fli”, personazhet e së cilës përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore. Euripidi i përkiste kategorisë së shkrimtarëve cilësorë. Çdo gjë që shkruante kishte një arsye të veçantë. Veprat e Euripidit karakterizohen nga format komplekse, lirshmëria në përdorimin e temave mitologjike dhe idetë e pasura muzikore.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj