Aleksandër Peçi: Ministria e Kulturës dhe TKOB të përgjigjen pse kaq i gjatë ky muzg 35-vjeçar për baletin dhe rreth 20-vjeçar për operën shqiptare

0
21

Veprat e mëdha muzikore shqiptare mungojnë në skenë, por autorë të ndryshëm shprehen me kritika ndaj politikave kulturore, që ndiqen në institucione. Kompozitori Aleksandër Peçi një nga emrat e vlerësuar me veprat e tij thotë se u bënë 20 vjet që nuk ka premiera të operës shqiptare, por i njëjti problem dhe me baletin. “Mjeshtër i Madh” kompozitori i njohur Aleksandër Peçi shprehet se ndërsa nga jashtë vijnë lajme për veprat që vihen në skena, në vendin tonë kjo mungon. “Ka lajme të mëdha që vijnë nga moderniteti botëror i muzikës operistike vetëm këto 6 muaj, dhe prej vitesh e vitesh s’ka asnjë lajm nga moderniteti operistik e baletesk shqiptar. Sa vjet? Ndoshta 20 vjet asnjë premierë botërore opere moderne shqiptare, ndërsa baleti shqiptar premierë botërore që nga ‘87 “Gjergj Elez Alia” e Ibrahimit. Nga moderniteti botëror i muzikës operistike vetëm këto 6 muaj 2 premiera të mëdha: 20 nëntor 2021 premiera botërore e Giulio Cesare e Battistelli në Grand Opera e Romës; 30 prill 2022 opera “Fin de partie” e Kurtag- premiera parisiene në Grand Opera të Parisit. Në 2018 ka qenë në “La Scala””, shprehet kompozitori Peçi. Përballë kësaj gjendje kur sipas tij nuk tregohet vëmendje për veprat shqiptare, kompozitori Aleksandër Peçi thotë përgjegjësi ka Ministria e Kulturës dhe Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. “Nëse i dinë në Ministri të Kulturës dhe TKOB ç’bën opera e Romës dhe opera e Parisit atëherë si? A do ndryshojë gjendja ? Kështu do jetë gjendja e institucioneve në raport me artin modern operistik e kompozicionin modern?”, shprehet kompozitori i njohur.

Opera dhe baleti shqiptar në muzg

Profesor Aleksandër Peçi shprehet se është Ministria e Kulturës dhe TKOB që duhet të përgjigjen pse opera dhe baleti shqiptar është lënë në muzg. Sipas tij edhe kur opera nuk kishte godinë u bënë vepra. “Pyetja që unë kam për Ministrinë e Kulturës dhe TKOB është: pse kaq i gjatë ky muzg 35 vjeçar për baletin dhe rreth 20 vjeçar për operën. Kush e ka lënë operën dhe baletin shqiptar në muzg? Por në një muzg, ku s’ka as Hënë dhe opera e baleti ynë është në errësire të plotë? Edhe kur nuk kishte opera si godinë e institucion, shqiptarët me Jakovën bënë opera, ndriçuan një agim. Kush e ka përshpejtuar  përfundimin e fundit të operas e baletit shqiptar premierë, por dhe ai i traditës. Ministrja ?Politikat shterpë të ministrisë, drejtorisë së artit e të projekteve ? TKOB?Një pyetje që kërkon përgjigje”, shprehet Peçi. Si krijues Aleksandër Peçi thotë se veprat shqiptare presin të jenë në skena. “Ne aty i kemi partiturat edhe me çmime të para në Ministri të Kulturës e TKOB, por dhe projekte të tjera operash, janë gati për tu shkruar që presin vetëm një sinjal interesi të shprehur  nga dikasteri dhe TKOB”, thotë ai. Prej vitesh në vendin tonë kompozitori Aleksandër Peçi organizon festivalin ndërkombëtar “Piandrom”. Por ai thotë se ka munguar mbështetja e Ministrisë së Kulturës. “Por kompozicioni modern në Shqipëri, atë që se bën Ministria e Kulturës dhe TKOB e bën festivali avangardë “Pianodrom”, të cilin ministria nuk e mbështet prej 8 vjetësh, por e mbështet bashkia, disa koncerte të orkestrës se RTSH, 1 a 2 koncerte të “Balcan contemporary music”, dhe pastaj metropole botërore si Vjena, Roma, Venecia, Trieste, Nju Jork, Pragë, Paris, Moskë, etj, që është i mikpritur me porta të hapura. Këtu ndeshemi me porta jo të mbyllura, por të blinduara. A do të hiqen këto porta të blinduara nga Ministria e Kulturës dhe TKOB?”, vijon Peçi. Kompozitori Aleksandër Peçi ka një aktivitet shumë vjeçar në fushën e muzikës.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj