Prokuroria e Fierit njoftoi ditën e djeshme se ka sekuestruar një pasuri me vlerë 800 mijë euro Arben Gropës, e cila sipas autoriteteve është e jashtëligjshme. Pasuria me vlerë 800 mijë euro e ish-subjektit të OFL-së, Vangjel Zijaj alias Arben Gropa u konfiskua me vendim të Gjykatës së Fierit, i dënuar në vitin 2014 nga drejtësia italiane. Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e të gjitha pasurive të Arben dhe Romerto Gropës, i afërm i tij, në vlerën e 800 mijë eurove. Vangjel Zijaj apo Arben Gropa është dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë me 29 vjet, 5 muaj e 27 ditë burgim, për veprat penale në fushën e narkotikëve, nxitje, shfrytëzim e favorizim prostitucioni të kryera nga organizata kriminale. Më pas, ai u ekstradua në Shqipëri për llogari të autoriteteve tona. Ndërsa Romerto Gropa alias Kristjan Gropa është dënuar nga Gjykata e Apelit të Brukselit për prostitucion. “Nga aktet e procedimit penal rezulton se, shtetasi Vangjel Zijaj (Arben Gropa) është dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë me 29 vjet, 05 muaj e 27 dite burgim, për veprat penale në fushën e narkotikëve, nxitje, shfrytëzim e favorizim prostitucioni të kryera nga organizata kriminale. Ndërsa shtetasi Romerto Gropa (Kristjan Gropa) është dënuar nga Gjykata e Apelit të Brukselit për ekzekutimin e vendimit për veprën penale të prostitucionit” njoftoi Prokuroria e Fierit.
Gropës i konfiskohen pasuri me vlerë 800 mijë euro
Në pamundësi të konfiskimit të pallatit që dyshohet se rrjedh nga të ardhura nga aktivitetet kriminale, pasi tashmë apartamentet e tij janë shitur, gjykata vendosi konfiskimin e pasurive të tjera të emër të tyre, në ekuivalent të vlerës së tij. Pallati 6-katesh, me një shtesë tjetër kati në proces legalizimi në Fier është shitur në persona të tjerë pas vitit 2002, periudhë pas kryerjes së veprës penale, për të cilën është dënuar në Itali. Të konfiskuara janë automjeti i Arben Gropës dhe një njësi me sipërfaqe prej 147 m2, në pronësi të Romerto Gropës. “Lidhur me pasurinë e konfiskuar rezulton se, shtetasi Vangjel Zijaj (Arben Gropa) ka ndërtuar një objekt 6 katesh+shtesë e një kati në proces legalizimi në qytetin e Fierit, ku apartamentet janë tjetërsuar nga i pandehuri në formën e kontratave të shitblerjes tek persona të tretë pas vitit 2002, pikërisht pas kryerjes së veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të prostitucionit nga organizata kriminale në shtetin italian për të cilat është dënuar. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues vlera e objektit ka rezultuar 800.000 euro. Duke qenë se kjo pasuri konsiderohet produkt i veprës penale dhe nuk justifikohet me ndonjë pasuri tjetër të ligjshme të të pandehurit dhe familjarëve të tij, në përfundim të gjykimit është kërkuar konfiskimi i vlerës ekuivalente të kësaj pasurie ne pasuri të tjera të ligjshme të të pandehurit”, njoftoi ditën e djeshme Prokuroria e Fierit në lidhje me konfiskimin e 800 mijë eurove të Arben Gogës. Kjo nuk është hera e parë që Arben Gropës i sekuestrohen prona. Në vitin 2018 Gjykata e Fierit i sekuestroi kompleksin “Pelikan” në pronësi të tij, një apartament dhe një makinë.







































