Partizani mbush 76 vjeç, intensifikohen punimet për mbylljen e kompleksit sportiv

0
244

Një nga klubet më të lavdishme të sportit shqiptar, madhështori PARTIZANI, mbushi dje, më 4 shkurt, 76 vjeç. Edhe pse një pjesë e lidhin zyrtarisht datën e themelimit me muajin prill, 4 shkurti 1946 shënon momentin e një nisje të re në sportin shqiptar, daljen në skenë të një klubi sportiv të bazuar nga armata e të rinjve e të rejave që kishin çliruar Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore. Që nga viti 1946 e deri më sot, Partizani dëshmoi se nuk ishte thjesht një klub futbolli, ai ishte një dashuri e madhe e të rinjve e të rejave në mbarë Shqipërinë. Jo rastësisht, ky klub ishte familjar në çdo skaj të vendit, duke grumbulluar më të mirët e duke i angazhuar ata në disiplina të ndryshme. Për dekada me radhë Partizani ishte shtëpia e dytë e qindra e mijëra sportistëve e nga ky klub kanë dalë shumica e kampionëve të mëdhenj, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në sukseset e sportit shqiptar dhe në zemrat e tifozëve anekënd vendit. Në këto 76 vjet, Partizani i ka dhënë vendit lavdi, nivele të larta sportive dhe ka angazhuar rininë në sport, duke qenë klub pararojë e suksesit. Kampionë të mëdhenj në basketboll, futboll, volejboll, mundje, qitje, gjimnastikë, atletikë, peshëngritje e deri në pingpong, çiklizëm, alpinizëm etj. Nuk ka disiplinë sportive që të mos e ketë dominuar Partizani ndër dekada. Rivaliteti në kryeqytet me Dinamon dhe 17 Nëntorin (Tiranën), ia ka shtuar gjithmonë bukurinë klubit që lindi nga Ministria e Mbrojtjes, por në fakt ishte klubi i popullit. Emra të mëdhenj të sportit tonë si basketbollisti Agim Fagu, futbollisti i madh Panajot Pano, shtangisti Faruk Kalleshi, mundësi Mirash Vuksani, ikona e volejbollit dhe e atletikës e një ndër pionierët e parë të klubit, gjiganti Petrit Murzaku, e shumë e shumë personalitete të mëdha të sportit tonë kanë dalë nga ky klub legjendar.

Intensifikohen punimet për kompleksin e ri sportiv

Kompleksi i ri sportiv i Partizanit, i nisur para disa vitesh, po shkon drejt përmbylljes së plotë. Në këtë moment, makineritë dhe njerëzit e klubit të kuq po punojnë për të sjellë kompleksin sa më parë në funksion, një kompleks që nuk do të zgjidhë vetëm problemin e klubit të kuq, por do të jetë edhe një prej komplekseve më të mëdha e më moderne në Ballkan. Tashmë, klubi i madh shqiptar do të ketë një kompleks të denjë për emrin e tij, një shtëpi sportive që u mundësua falë një investimi privat të Gaz Demit. Në fakt, vetëm, pak ditë më parë, Federata Shqiptare e Futbollit mbajti qëndrim publik për këtë rast, duke premtuar derdhjen e 600 mijë eurove si ndihmë për përmbylljen e kompleksit, por kjo shumë mund të shtohet rrugës sipas nevojave të klubit, sepse, sikurse e pranon dhe FSHF, kryeqytetit po i shtohet një “gjerdan” i ri sportiv, modern, që u shërben të rinjve e të rejave të qytetit të Tiranës. Kompleksi do t’i ketë të gjitha, nga fushat stërvitore, stadiumi i ndeshjeve me mbi 4 mijë spektatorë, me hotelin, fusha ndihmëse dhe për veprimtari të tjera sportive, parkingje etj, pra një kompleks që i jep drejtim klubit për disa dekada. Besohet e kompleksi do të jetë gati në fund të këtij sezoni. Në fakt, vonesën në përurimin e tij e shkaktoi pandemia e koronavirusit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here