Përplasje e egër e Hysajt me tifozët fashistë, Lacio i del në krah mbrojtësit shqiptar

0
20

Mjaftoi një këngë, “Bella Ciao”, për të kënduar para shokëve të tij të rinj, një këngë me motive partizane, por pikërisht kjo i kushtoi shtrenjtë Elseid Hysajt. Tifozët e Lacios, të njohur për prirjet e tyre fashiste apo ekstreme të djathta, reaguan menjëherë dhe ushtruan presion në ambientet e grumbullimit, teksa pas negociatave edhe të drejtorit sportiv Igli Tare, kënga u fshi nga rrjetet sociale dhe u duk sikur u arrit një farë paqeje. Megjithatë, nuk ishte aspak kështu, pasi përveç mesazheve të pafundme në rrjetet sociale, ku vunë në shënjestër mbrojtësin kuqezi, tifozët e Lacios nuk ngurruan të shprehin acarimin e tyre as në rrugët e kryeqytetit, ku shpalosën një pankartë të turpshme, ku shkruhej “Hysaj krimb, Lacio është fashiste”! Pikërisht për këtë arsye, edhe klubi i Lacios është detyruar të dalë me një komunikatë zyrtare, ku ka theksuar angazhimin për të marrë në mbrojtje Hysajn. “Është detyrë e klubit që të mbrojë një prej anëtarëve të saj dhe ta çlirojë nga përdorimi personal e politik, që në rastin konkret nuk ka asnjë lidhje me kontekstin jozyrtar dhe miqësor në të cilin ndodhi episodi. Grumbullimi i skuadrës duhet të vazhdojë me angazhimin maksimal sportiv dhe në klimën e qetësisë që ka mbizotëruar deri para këtij momenti”, thuhej në deklaratën e klubit lacial.Ad by Valueimpression

Kreu i Parlamentit Europian i del në krahë Hysajt

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sasoli, ka mbështetur futbollistin shqiptar, Elseid Hysaj, i cili u sulmua nga ultrasit fanatikë të Lacios, në fakt fashistë, pasi këndoi këngën “Bella Ciao”. Ultrasit e etiketuan Hysajn si një ‘krimb’ kurse ekipin e Lacios si ‘fashist’, por Sasoli e cilëson banderolën e ultrasve të turpshme. Ai thotë se këto shenja intolerance nuk duhet të kenë vend në botën e sportit apo diku tjetër. Për më tepër, politikani italian kujton se vetëm pak ditë më parë Italia fitoi Euro 2020 dhe është për të ardhur keq thotë ai, që atmosfera festive prishet nga shfaqje të tilla. “Solidariteti im me futbollistin shqiptar të Lacio, Elseid Hysaj, i sulmuar nga ultrasit fanatikë, i quajtur ‘krimb’ në një banderolë të turpshme vetëm pse këndoi ‘Bella Ciao’ gjatë prezantimit në ekipin e ri. Kohët e fundit jemi mburrur me triumfin e bukur italian në Europian, ndaj është për të ardhur keq që ta prishim këtë atmosferë festive me shfaqje të intolerancës, që nuk duhet të kenë kurrë shtetësi në botën e sportit ose diku tjetër”, shkruan Sasoli.

Duka i del në krahë Hysajt: Jemi me ty!

Edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i ka dalë në krahë mbrojtësit kuqezi Elseid Hysaj, duke thënë se shkodrani është lojtar i mrekullueshëm dhe pasqyron vlerat më të mira njerëzore. “I dashur Elsi, ti je dhe do të mbetesh jo vetëm një futbollist i mrekullueshëm, por edhe një personalitet i botës së futbollit. Fakti që ke kënduar një këngë, as e cenon e as i jep të drejtë askujt që të vërë në dyshim personalitetin tënd. Jam koshient se vlerat e tua do të triumfojnë përballë dhunës verbale e ideologjike, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin dhe vlerat e këtij sporti magjik. Vazhdo puno e stërvitu, jep më të mirën tënde siç ke bërë gjithmonë. Ne të gjithë të duam e të mbështesim”, shkruan Duka.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj