Gjykata e Tiranës lejon ekstradimin e Gentian Manajt, pjesë e grupit të trafikut të kokainës nga Amerika Latine

0
61

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lejojë ekstradimin drejt Italisë të Gentian Manajt 35 vjeç, pasi dyshohet të jetë pjesë e një karteli shqiptar që trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika Latine drejt Europës. Arrestimi i 35-vjeçarit Manaj i njohur ndryshe edhe me emrin Myzafer, u bë dy muaj më parë në Tiranë, pas një urdhri ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali, pasi Gjykata e Firences kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Konkretisht, drejtësia italiane e akuzon Manajn për “Organizatë kriminale” dhe “Trafik ndërkombëtar droge”. Ndërsa, referuar vendimit të gjykatës, mësohet se Manaj e ka kundërshtuar ekstradimin përmes avokatit të tij mbrojtës, duke pretenduar se ai nuk ishte identifikuar në lidhje me veprën penale. Sipas avokatit, prokuroria ka paraqitur një profil kripto-telefonik me pseudonimin “Bahamas”, por nuk e ka shpjeguar koincidencën me Gentianin. Ndërkohë kujtojmë se arrestimi i Manajt është bërë i mundur në 15 shtator të këtij viti në kryeqytet në kuadër të një operacioni ndërkombëtar antidroge të koduar “Los Blancos”. Në këtë operacion të koordinuar nga Europol, i cili shtrihej në Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador janë arrestuar edhe 4 shqiptarë të tjerë, mes të cilëve edhe Eldi Dizdari, i cili u arrestua në Dubai. Ndërsa, dyshohet se Dritan Rexhepi, i cili aktualisht ndodhet në një burg në Ekuador, është personi i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë organizatë kriminale. Sipas hetimit, karteli po importonte dërgesa të mëdha kokaine nga Amerika Latine, të financuara nga grupe kryesore të trafikantëve të drogës që vepronin në të gjithë Europën.
Harta e bandës kriminale, ja si funksiononte
Sipas burimeve harta në të cilën bëhej transporti i kokainës ishte nga Amerika e Jugut dhe më pas në të gjithë Europën. Mësohet se për vite me radhë importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin të ndarë, nga shitësit me shumicë te bandat që shpërndanin drogën në rrugë. Gjithashtu mësohet se ata kontrollonin të gjithë zinxhirin, nga rregullimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Europën. Ndërsa kreu i organizatës, 40-vjeçari i identifikuar si Dritan Rexhepi duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara të komunikimit, me qendër në Ekuador, mësohet të ketë negociuar drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizoi dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Europës dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizuan shpërndarjen në të gjithë Europën. Sipas burimit skema që kriminelët përdornin për të pastruar paratë e tyre ishte importi i lekëve nëpërmjet sistemit të remitancave (paratë e dërguara nga emigrantët). Mësohet se nëpërmjet pikave të transferimit të parave, ata dërgonin paratë në këto agjenci në vende të caktuara. Më pas një operator tjetër tërhiqte shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia kalonte marrësit të synuar. Kështu nuk linin asnjë gjurmë të dyshimta, duke pastruar kështu miliona euro përmes këtij sistemi. Sipas burimeve, mbi çdo pako të mbështjellë me natriban brenda kokaina ishte me mbishkrimin “Bello” duke nënkuptuar pastërtinë e lartë të saj dhe vlerën e madhe në treg.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj