Debati mbi detin, Artur Meçollari: Shqipëria ka ndryshuar 10 herë kufijtë territorialë, në asnjë rast nuk janë pyetur fqinjët

0
61

Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandant i forcave tona detare njëkohësisht dhe anëtar i komisionit teknik për ndarjen e kufirit detar me Greqinë, ka reaguar mbi debatet e ditëve të fundit. Athina vendosi të zgjerojë kufirin me 12 milje ndërsa Meçollari është kthyer disa vite pas.

Në fjalën e tij ai shprehet me ironi dhe krahason këtë ngjarje me përjetimin në vendin tonë të rrëzimit të Murit të Berlinit në 1989. Dy ditë më parë zyrtarisht Greqia njoftoi zgjerimin me 12 milje në detin Jon duke shkaktuar reagim në Tiranë me akuza kundër qeverisë Rama për shitjen e detit. Dy palët janë dakordësuar për të shkuar në Hagë për kufirin detar. Sipas tij vendi ynë ka mbajtur gojën mbyllur kur i bëhen padrejtësi dhe kujtohet vetëm pasi çdo gjë ka mbaruar, pasi edhe vetë ka bërë veprime të tilla pa respektuar rregullat mes fqinjësie. Ndërsa deklaratën e vendit fqinj se ka marrë atë çka i takon, Meçollari thotë se nuk është plotësisht e vërtetë, pasi Greqia nuk ka respektuar një nga rregullat kryesore, të mos cenojë interesat e një shteti tjetër. “Kjo historia e zgjerimit të gjerësisë së detit territorial të Greqisë me 12 milje detare, ku shumë personazhe shprehen se “është e drejta e Greqisë, por duhet të na pyesin edhe ne” më kujton një histori të nëntorit 1989 dhe që lidhet me rrëzimin e Murit të Berlinit. Mbasi u rrëzua Muri i Berlinit më 9 nëntor 1989, Organizata Bazë e Partisë së Punës në lagje u mblodh dhe i shkroi një letër Ramiz Alisë. Në letër komunistët ankoheshin pse vendimi për rrëzimin e Murit të Berlinit ishte marrë pa u pyetur edhe Organizata e tyre e Partisë. Shpallja e një akti të tillë është e drejtë e shtetit bregdetar, por ai mund të kontestohet mbas shpalljes nëpërmjet mekanizmave të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare, nëse gjykohet se cenon interesat e një shteti tjetër”, është shprehur ai. Sakaq ai ka renditur 10 nga vendimet e mëparshme të Shqipërisë në lidhje me zgjerimin e kufijve detar, kur asnjëherë nuk është konsultuar me vendet fqinje, duke i lënë sot të gjithë hapësirën Greqisë të bëjë të njëjtën gjë. “Shqipëria nga viti 1946 deri në vitin 2012 ka ndryshuar ose konfirmuar me ligj 10 herë gjerësinë e detit territorial, por në asnjë rast nuk ka pyetur ndonjë nga fqinjët e saj detarë për vendimet që ka marrë. Vetëm në vitin 1990 u ndryshua nga 15 në 12 milje detare mbas presionit të SHBA, si dhe është e paqartë si u shfuqizua në vitin 2008. Deri dhjetor 1946 Shqipëria ka pasur gjerësinë e detit territorial sipas të drejtës zakonore 3 milje detare. Më pas ka nisur kodikimi i saj nga legjislacioni i brendshëm, i cili ka ndryshuar si më poshtë: Dhjetor 1946, VKM Nr. 168 -6 milje detare Shtator 1952, dekreti nr. 1535 – 10 milje detare Korrik 1959, dekreti Nr. 2960- 10 milje detare Shtator 1961, dekreti nr.3321- 12 milje detare Mars 1970, dekreti Nr. 4650 -12 milje detare Shkurt 1976, dekreti Nr. 5384 -15 milje detare Mars 1990, dekreti Nr7366 -12 milje detare Prill 2001, ligji 8771-12 milje detare”, ka deklaruar ai.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj